Oda Ekonomike e Kosovës: Stabiliteti politik jetik për ekonominë, të shmangen zgjedhjet dhe të mbështeten bizneset

by engel

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka shprehur shqetësimin për situatën aktuale politike në vend dhe mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja, duke theksuar se Kosova ka nevojë për stabilitet institucional dhe jo për procese që, sipas saj, mund të thellojnë pasigurinë ekonomike.

Në një komunikatë për media të lëshuar nga Prishtina, OEK u ka bërë thirrje partive politike parlamentare në Republikën e Kosovës që të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe të shmangin dërgimin e vendit në zgjedhje. Sipas Odës, stabiliteti politik është parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për ruajtjen e besimit të investitorëve.

banner

OEK ka vlerësuar se sektori privat në Kosovë mbetet veçanërisht i ndjeshëm ndaj zhvillimeve ndërkombëtare, për shkak të varësisë së lartë nga importi. Luhatjet globale, sipas saj, mund të ndikojnë drejtpërdrejt në çmime, zinxhirë furnizimi dhe në nivelin e investimeve, duke shtuar pasigurinë në tregun vendor.

Në komunikatë theksohet gjithashtu nevoja urgjente për rritje të investimeve të brendshme dhe të jashtme, si dhe për zbatimin e reformave strukturore që do ta bënin ekonominë e vendit më konkurruese dhe më tërheqëse për bizneset.

Në dritën e zhvillimeve gjeopolitike dhe rreziqeve për rritje të çmimeve apo çrregullime në furnizim, OEK i ka bërë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit që të përgatisin një paketë të qartë masash mbështetëse për bizneset dhe konsumatorët.

Në fund, Oda ka apeluar për komunikim të matur nga të gjithë akterët, duke kërkuar që të shmangen lajmet e paverifikuara që mund të shkaktojnë panik dhe destabilizim të tregut, si dhe ka kërkuar përgjegjësi shtetërore dhe dialog konstruktiv në funksion të zhvillimit afatgjatë ekonomik të vendit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy