Agjencia e lajmeve Reuters ka shkruar për blerjen e dronëve Bayraktar nga Kosova.
Në një artikull, Reuters ka shkruar se “Kosova ka blerë një grumbull dronësh Bayraktar të prodhimit turk”, derisa ka cituar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili lajmin e dha përmes një postimi në Facebook.
Reuters shkruan se dronët u blenë në kohën që sipas kësaj agjencia, Kosova po përballet me trazira në veri.
Agjencia citon postimin e Kurtit, duke shkruar se “shpenzimet e fundit të sigurisë po e bëjnë vendin më të sigurt”.
“Ai nuk dha numrin apo koston e dronëve, të parët e Kosovës, as nuk tha se për çfarë do të përdoren. Dronët Bayraktar kanë fituar popullaritet global pasi u përdorën nga ushtria e Ukrainës kundër forcave ruse”, thuhet në këtë artikull.
Reuters shkruan se “Republika 15-vjeçare po ndërton një ushtri që synon përfundimisht të ketë 5,000 ushtarë të rregullt dhe 3,000 rezervistë. Aleanca ushtarake e NATO-s ka gjithashtu më shumë se 4,500 paqeruajtës në vendin me 1.8 milionë banorë. Në muajt e kaluar, Kosova është përballur me dhunën e saj më të keqe etnike në veri, ku jetojnë rreth 50,000 serbë etnikë, të cilët mbështeten nga Beogradi”