Pacolli: Pse prapë zgjedhje, pse kjo tallje?

by informim peje

Ish-presidenti Behgjet Pacolli ka shtruar pyetjen pse duhet të ketë sërish zgjedhje dhe pse kjo tallje me qytetarët. Ai ka përmendur se që nga viti 2007 kishte bindjen se presidenti duhet të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.

Ai thotë se, kur fati i presidentit vendoset nga deputetët dhe nga të ashtuquajturat “vota të sigurta” apo kalkulime partiake, institucioni i Presidentit rrezikon të reduktohet në një instrument të politikës së ditës.

banner

Postimi i plotë:

Pse prapë zgjedhje?
Pse kjo tallje?

Ideja për zgjedhjen e Presidentit të vendit drejtpërdrejt nga populli ka qenë bindja ime që nga viti 2007. Atëherë askush nuk më mbështeti. Nëse shikoni në retrospektivë, do të shihni se kolegët e mi të atëhershëm (disa prej tyre edhe sot janë deputetë) më akuzonin se “po dua të imponoj sisteme të Lindjes”. Ja ku jemi sot!

Në një sistem demokratik të mirëfilltë, posti i Presidentit duhet të jetë shprehje e vullnetit të qytetarëve dhe jo rezultat i marrëveshjeve të mbyllura ndërmjet partive politike. Kur Presidenti zgjidhet nga qytetarët, ai merr një legjitimitet të drejtpërdrejtë demokratik dhe përfaqëson gjithë popullin, jo vetëm interesat e një shumice të përkohshme parlamentare.

Sot, kur fati i Presidentit vendoset nga deputetët dhe nga të ashtuquajturat “vota të sigurta” apo kalkulime partiake, institucioni i Presidentit rrezikon të reduktohet në një instrument të politikës së ditës. Në vend që të jetë figurë unifikuese dhe garant i Kushtetutës, Presidenti shpesh shihet si produkt i pazareve politike, marrëveshjeve të fshehta dhe interesave të ngushta partiake. Kjo jo vetëm që e dobëson autoritetin moral të këtij institucioni, por gjithashtu e largon atë nga qytetarët që ai duhet të përfaqësojë.

Është paradoksale që institucioni që duhet të simbolizojë unitetin e kombit të varet nga votat e një grupi të kufizuar deputetësh, të cilët shpesh janë të lidhur ngushtë me kërkesat dhe interesat e udhëheqjeve të partive të tyre.

Në këto rrethana, zgjedhja e Presidentit nga Parlamenti mund të shndërrohet lehtësisht në një proces formal, ku rezultati dihet paraprakisht dhe ku mungon çdo element i vullnetit të drejtpërdrejtë qytetar.

Për më tepër, një praktikë e tillë rrezikon ta degradojë institucionin e Presidentit në një post simbolik, pa peshë reale morale dhe demokratike. Kur qytetarët nuk kanë mundësi të shprehin drejtpërdrejt vullnetin e tyre për këtë figurë të rëndësishme shtetërore, krijohet një ndjenjë distancimi dhe mosbesimi ndaj institucioneve.

Prandaj, nëse duam që Presidenti të jetë vërtet përfaqësues i unitetit kombëtar dhe garant i Kushtetutës, e jo kukull, mënyra më e drejtë dhe më demokratike është që ai të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Vetëm kështu ky institucion mund të fitojë legjitimitetin e plotë demokratik dhe të çlirohet nga varësia ndaj kalkulimeve të ngushta partiake.

Ndryshe, vazhdimi i praktikës aktuale rrezikon ta kthejë procesin e zgjedhjes së Presidentit në një farsë politike, ku institucioni që duhet të jetë mbi partitë, në fakt mbetet peng i tyre.

BP

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy