Inspektorati i Punës i Kosovës ka njoftuar se gjatë këtij viti ka shqiptuar gjoba ndaj 121 subjekteve juridike për shkak të shkeljeve të legjislacionit të punës.
Sipas të dhënave zyrtare të institucionit, masat ndëshkuese janë ndërmarrë pas inspektimeve të kryera në terren, ku janë evidentuar raste të mosrespektimit të rregullave që lidhen me marrëdhënien e punës, përfshirë edhe çështjen e punësimit të padeklaruar.
Megjithatë, nga raportimet e inspektimeve rezulton edhe një zhvillim pozitiv. Sipas Inspektoratit të Punës, gjatë kontrolleve është vërejtur një rënie e numrit të punëtorëve që punojnë pa u deklaruar zyrtarisht.
“Gjithsej janë të gjobitur 121 subjekte juridike. Sipas të dhënave të inspektimeve ka rënie të evidentimit të punëtorëve informal”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga Inspektorati i Punës për Front Online.
Institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit të punës ka theksuar se inspektimet do të vazhdojnë edhe në muajt në vijim, me qëllim të parandalimit të shkeljeve dhe garantimit të të drejtave të punëtorëve në vend.

