Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati, kanë pritur në takim përfaqësues të Bankes Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), me të cilët kanë diskutuar për bashkëpunimin aktual dhe projektet zhvillimore në vend.
Gjatë takimit u trajtua mundësia e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe BERZh-it, me fokus në avancimin e projekteve infrastrukturore dhe zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar në vitin 2024. Ky memorandum parasheh një portofol investimesh që arrin deri në 400 milionë euro deri në vitin 2027.
Sipas njoftimit, në takim u diskutuan edhe projektet prioritare që lidhen me zhvillimin e infrastrukturës rrugore, trajtimin e ujërave të zeza, sistemet e furnizimit me ujë, rritjen e efikasitetit të energjisë dhe përmirësimin e transportit publik. Po ashtu u shqyrtuan mundësitë për nënshkrimin e marrëveshjeve të reja financiare gjatë viteve 2026 dhe 2027.
Kryeministri Kurti ka falënderuar përfaqësuesit e BERZh-it për mbështetjen e vazhdueshme që ky institucion i ka dhënë Kosovës, duke theksuar rëndësinë e partneritetit për realizimin e projekteve strategjike që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve për qytetarët.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e BERZh-it kanë riafirmuar gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me institucionet e Kosovës në zbatimin e projekteve zhvillimore dhe në mbështetje të reformave ekonomike në vend.

