Çmimet e derivateve të naftës në Kosovë kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë ditëve të fundit, duke reflektuar zhvillimet dhe tensionet në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Sipas përfaqësuesve të sektorit të naftës, faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë rritje lidhen me situatën e tensionuar në Lindjen e Mesme dhe me pasiguritë rreth qarkullimit të naftës në Ngushticen e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme globale për transportin e naftës.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, bëri të ditur se aktualisht çmimet e derivateve në tregun kosovar sillen nga rreth 1.40 deri në 1.60 euro për litër për dizelin, ndërsa benzina nga 1.27 deri në 1.39 euro për litër. Sipas tij, vetëm një ditë më parë çmimi i furnizimit me shumicë ishte rreth 1.53 euro për litër.
Berjani theksoi se për rreth tre muaj tregu kishte qenë relativisht i qëndrueshëm dhe nuk kishte pasur lëvizje të mëdha në bursat ndërkombëtare të naftës. Megjithatë, tensionet gjeopolitike dhe rreziku i ndërprerjes së prodhimit apo transportit të naftës kanë krijuar pasiguri në tregjet globale, duke ndikuar edhe në çmimet lokale.
Sipas tij, situata në rajonin e Iranit dhe rreziku për pengesa në qarkullimin e naftës në Ngushticën e Hormuzit janë faktorë kyç që mund të ndikojnë në furnizimin global. Ai theksoi se kjo rrugë detare është një nga arteriet kryesore të tregtisë së naftës në botë dhe çdo problem në këtë korridor reflektohet drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare dhe, rrjedhimisht, edhe në Kosovë.
Megjithatë, Berjani u bëri thirrje qytetarëve të mos krijojnë panik, duke theksuar se furnizimi me derivate në Kosovë është i qëndrueshëm dhe ka sasi të mjaftueshme në treg. Ai shprehu shpresën se një marrëveshje paqeje në rajonin e konfliktit do të kontribuojë në stabilizimin e tregut global të naftës.
Ndërkohë, nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit është bërë e ditur se institucionet po monitorojnë nga afër tregun e derivateve për të parandaluar praktikat e padrejta tregtare dhe për të mbrojtur konsumatorët. Sipas ministrisë, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të ndërmarrë masa ndëshkuese në rast se evidentohen shkelje të ligjit.
Në nivel global, zhvillimet politike dhe deklaratat e liderëve ndërkombëtarë po ndikojnë gjithashtu në çmimin e naftës. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi Iranin që të mos ndërhyjë në qarkullimin e naftës në Ngushticën e Hormuzit, duke theksuar se çdo përpjekje për të penguar rrjedhën e naftës do të përballet me reagim të ashpër nga SHBA.
Pas këtyre zhvillimeve, në tregjet aziatike çmimi i naftës së papërpunuar ka shënuar rënie rreth 6.5 për qind, duke zbritur nga 92.46 dollarë në rreth 88.15 dollarë për fuçi. Një ditë më parë çmimi kishte arritur pothuajse 120 dollarë për fuçi, për shkak të frikës se konflikti mund të zgjaste më gjatë, por më pas tregjet reaguan pozitivisht pas sinjaleve për një mundësi të përfundimit më të shpejtë të krizës.

