Presidentja Justina Shiroka-Pula e ka kthyer sot zyrtarisht në Kuvend ligjin e ri për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, sipas një dokumenti që e ka siguruar Gazeta Express.
Shiroka-Pula, në dokumentin dërguar deputetëve, ua ka përcjellur atyre vendimin për kthimin në rishqyrtim të ligjit për Specialen.
“Ngarkohet Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, si komision përgjegjës-raportues, që ta shqyrtojë Vendimin e bashkëngjitur dhe Kuvendit t’ia paraqesë Raportin me rekomandime”, thuhet në dokument.
Vendimin për kthimin e ligjit, Presidentja ia ka dërguar edhe kryeparlamentares Albulena Haxhiu.
Presidentja thotë në dokument se e kishte shprehur gatishmërinë për dekretimin e ligjit, por se ka zhvilluar dhe po zhvillon konsultime me përfaqësues të institucioneve dhe subjekteve përkatëse shtetërore.
“Duke pasur parasysh sakrificën, angazhimin dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të rënëve të saj në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, pas pranimit të Ligjit nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (në tekstin e mëtejmë: Ligji), kam shprehur gatishmërinë për shpalljen e tij, në përputhje me kompetencat e mia kushtetuese”, thuhet në arsyetimin për kthimin e ligjit në Kuvend.
“Në këtë kontekst, kam marrë parasysh edhe Deklaratën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për akgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të datës 28 shtator 2026 (nr. 11De-001), duke mbështetur qëndrimin e shprehur në të, kundër çdo përpjekjeje për të shtrembëruar të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim karakterin çlirimtar të luftës së saj apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë”, thuhet në arsyetimin e Presidentes.
Shiroka-Pula thotë se Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar zyrtarisht që Kuvendit t’i jepet mundësia që ta rishqyrtojë atë ligj.
“Me qëllim të bashkërendimit të veprimeve ndërinstitucionale dhe diplomatike për dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të rolit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë angazhimet që synojnë mbrojtjen sa më të mirë të të drejtave dhe interesave të të rënëve të saj që po gjykohen në Dhomat e Specializuara, kam zhvilluar dhe vijoj të zhvilloj konsultime dhe takime me përfaqësues të institucioneve dhe subjekteve përkatëse shtetërore. Në vijim të këtyre konsultimeve dhe takimeve, më 22 tetor 2026 kam pranuar edhe propozimin zyrtar të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, si sponsorizues i Ligjit (Prot. nr. 01-07-1255-01/26, datë 22.10.2026), për t’i dhënë Kuvendit të Republikës së Kosovës mundësinë që ta rishqyrtojë Ligjin nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, me qëllim të shqyrtimit të mëtejshëm të dispozitave të tij, veçanërisht të atyre që ndërlidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë Dhomave të Specializuara”, thuhet në arsyetim.
“Duke marrë parasysh sa më sipër, Ligji nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar kthehet për rishqyrtim në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në fund të arsyetimit të Presidentes.





