Ukraina ka kritikuar presidentin prorus të Bullgarisë lidhur me komentet e tij se Kievi është fajtor për luftën e vazhdueshme të Rusisë dhe se furnizimi me armë i Ukrainës vetëm sa e zgjat konfliktin. Presidenti bullgar, Rumen Radev, ka thënë të premten, në një konference për shtyp ku foli për Samitin e fundit të NATO-s, se donte “ta bënte të qartë se është Ukraina ajo që këmbëngul për të vazhduar luftën”.
Por sipas tij, duhet të jetë gjithashtu e qartë se fatura paguhet nga e gjithë Evropa. Vërejtjet e liderit prorus janë pjesë e përpjekjeve të tij të vazhdueshme për ta mbajtur Bullgarinë jashtë mbështetjes së përbashkët ushtarake të BE-së për Ukrainën.
Ambasada e Ukrainës në Sofje në një deklaratë tha se Kievi po bën të gjitha përpjekjet e mundshme për të rivendosur paqen dhe hodhi poshtë qëndrimin e Radevit se furnizimi me armë për Ukrainën dhe zgjat luftën. Gjatë krizës politike që pati kapluar Bullgarinë, anëtare të BE-së dhe NATO-s, Radev ka përdorur kompetencat e tij për të emëruar qeveri të përkohshme që ndanin të njëjtin mendim me presidentin për mosfurnizimin me armë të Kievit.
Por kjo politikë e tij ka dështuar që kur u formua qeveria e re bullgare pro-perëndimore në qershor.