Mashtrimi me premtimin për grant bujqësor, gjykata në Ferizaj dënon kompani dhe përgjegjësin e saj

by engel

Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur aktgjykim dënues ndaj personit juridik “E.D&C” SH.P.K. dhe të pandehurit V.H., të cilët u gjetën fajtorë për veprën penale të mashtrimit lidhur me një rast aplikimi për grant ndërkombëtar.

Vendimi është marrë nga gjyqtarja Mimoza Maloku-Shabani, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave personale dhe materiale në këtë rast. Sipas aktgjykimit, kompania “E.D&C” SH.P.K. është dënuar me gjobë në vlerë prej 6.000 eurosh, shumë që duhet të paguhet brenda 30 ditëve pasi vendimi të marrë formë të prerë.

banner

Ndërkaq, i pandehuri V.H. është dënuar me dy vjet burgim dhe me gjobë prej 2.000 eurosh. Ekzekutimi i dënimeve do të bëhet pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

Sipas aktakuzës, rasti daton më 15 maj 2019 në Ferizaj, kur përmes përfaqësuesit V.H., kompania kishte mashtruar të dëmtuarin R.H. duke i premtuar përfitimin e një granti bujqësor të financuar nga shtete të huaja. I dëmtuari kishte kërkuar ndihmë për përgatitjen e një plani biznesi për aplikim në grant, ndërsa ishte informuar se duhej të paguante një shumë të caktuar për të përfituar mbështetje.

Sipas pretendimeve të paraqitura në aktakuzë, atij i ishte thënë se nëse paguante 4.280 euro në llogari të kompanisë, do të përfitonte një grant bujqësor, konkretisht një traktor me vlerë rreth 25.000 euro. Përveç kësaj, ai kishte paguar edhe 800 euro shtesë për përgatitjen e planit të biznesit.

Megjithatë, pas kryerjes së pagesave, i dëmtuari nuk kishte marrë më përgjigje nga të pandehurit dhe as nuk i ishin kthyer paratë, ndërsa granti i premtuar nuk ishte realizuar. Si pasojë, atij i ishte shkaktuar dëm material në vlerë rreth 5.080 euro.

Gjykata ka vendosur gjithashtu që ndaj të pandehurit të caktohet masa e paraburgimit deri në momentin kur aktgjykimi të marrë formë të prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar.

Palët në këtë proces kanë të drejtë ankese brenda 30 ditëve nga pranimi i aktgjykimit në formë të shkruar, ndërsa ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore në Ferizaj.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy