Berlini u është përgjigjur thirrjeve të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për të ndihmuar në mbajtjen e pandërprerë të korridoreve të transportit detar në Ngushticën e Hormuzit, me një zëdhënës të qeverisë që tha: “Kjo luftë nuk ka asgjë të bëjë me NATO-n. Nuk është luftë e NATO-s”, raporton CNN.
Komenti i bërë nga zëdhënësi i kancelarit Friedrich Merz vjen pasi Trump bëri një kërcënim të tërthortë ndaj aleancës së NATO-s, duke thënë se ajo mund të përballet me një “të ardhme shumë të keqe”.
Qeveria gjermane gjithashtu përsëriti edhe një herë se nuk do të marrë pjesë në asnjë aktivitet në Ngushticën e Hormuzit.
“Pjesëmarrja nuk është konsideruar para kësaj lufte dhe nuk po konsiderohet as tani”, shtoi zëdhënësi i qeverisë.
Këtë mëngjes, duke mbërritur në Bruksel, ministri i Jashtëm i Gjermanisë Johann Wadephul gjithashtu u tha gazetarëve se nuk sheh rol për anëtarët e NATO-s në Ngushticën e Hormuzit.
Merz ka ashpërsuar qëndrimin e tij ditët e fundit ndërsa lufta me Iranin vazhdon pa shenja përfundimi. Javën e kaluar ai kritikoi SHBA-në për lehtësimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe ka thënë hapur se nuk e ka të qartë se cili është plani i SHBA-së për t’i dhënë fund luftës.
Kornelius u tha gazetarëve se “para luftës si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Izraeli e bënë të qartë se ndihma europiane as nuk kërkohej dhe as nuk dëshirohej”.
Kancelari gjerman do të takohet më vonë sot në Berlin me kryeministrin e Holandës Rob Jetten. Të dy liderët ka të ngjarë të përballen me pyetje mbi përgjigjet e tyre ndaj Trump dhe kërkesave të tij.

