Aktorja e njohur Meryl Streep ka dhuruar një shumë të madhe për Muzeun Kombëtar të Historisë së Grave, një institucion me bazë në Washington, D.C., i cili deri më tani ka funksionuar kryesisht në mënyrë itinerante. Nismës i janë bashkuar edhe figura të tjera të njohura si Fran Drescher dhe Gwyneth Paltrow.
Kontributi i Streep, një nga më të mëdhenjtë deri më sot, kap vlerën mbi 10 milionë dollarë.
“Historia nuk bëhet vetëm nga ata që e krijojnë, por edhe nga ata që sigurohen që ajo të kujtohet”, u shpreh aktorja, duke shtuar se është “krenare që vazhdon të mbështesë këtë punë thelbësore, në mënyrë që brezat e rinj të trashëgojnë një histori të vërtetë dhe të plotë”.
Donacioni i një prej yjeve më të dashura të kinemasë botërore vjen në prag të 250-vjetorit të Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një kohë kur të drejtat e grave përballen me sfida të shumta. Muzeu theksoi se ky investim “pasqyron një besim të palëkundur në fuqinë e rritjes së zërit të grave”.
I themeluar në vitin 1996, muzeu organizon ekspozita kryesisht online në nder të grave amerikane. Në vitin 2020 ai u bë pjesë e rrjetit të Smithsonian Institution, por ende nuk ka një hapësirë fizike në zonën qendrore monumentale të kryeqytetit amerikan, shkruan Ansa, përcjell Informim.net
Ndër pengesat kryesore mbeten ato politike. Së fundmi, republikanët kanë tentuar të përfshijnë një dispozitë kundër personave trans në një projektligj që lidhet me vendndodhjen e muzeut pranë institucioneve të tjera të rrjetit Smithsonian në qendër të Washingtonit.

