Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se kërkesat për heqjen e TVSH-së dhe akcizës për derivate nuk janë të realizueshme në këtë fazë, pavarësisht rritjes së çmimeve të karburanteve në vend.
Deklarata e saj vjen pasi shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, dorëzoi një kërkesë në institucionet përkatëse për ndërmarrjen e masave urgjente me qëllim zbutjen e krizës ekonomike si pasojë e shtrenjtimit të derivateve.
Në propozimin e AAK-së përfshihen katër masa kryesore, ndër to edhe lirimi nga TVSH-ja dhe heqja e përkohshme e akcizës për naftën. Megjithatë, Kusari-Lila theksoi në një konferencë për media se masa të tilla nuk mund të zbatohen aktualisht.
Ajo shtoi se institucionet janë duke u përpjekur të parandalojnë rritje të mëtejshme të çmimeve, ndërsa potencoi se ulja e tyre varet kryesisht nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.
Ndërkohë, Tahiri ka kritikuar ashpër Qeverinë për, siç ka thënë ai, mungesë reagimi dhe pasivitet ndaj rritjes së çmimeve të karburanteve, duke kërkuar veprime konkrete në mbështetje të qytetarëve dhe bizneseve.

