Dhuna seksuale gjatë luftës lë pasoja të thella dhe afatgjata shëndetësore, psikologjike dhe ekonomike të të mbijetuarave. Trajtimi i tyre me ndjeshmëri, respekt dhe profesionalizëm është vendimtar jo vetëm për mirëqenien e tyre, por edhe për suksesin e ndjekjes penale.
Kështu u tha gjatë Konferencës me temën, “Publikimi i manualeve për qasje të ndjeshme ndaj traumës dhe përdorimin e Dhomës së Sigurt në gjykata”, organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
Gjatë konferencës u prezantuan tre dokumente profesionale që synojnë të forcojnë qasjen e ndjeshme ndaj traumës dhe të mbështesin të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë që kërkojnë në drejtësi:
1.Manuali për qasje të sigurt dhe të ndjeshme në drejtësi,
2. Udhëzues praktik: Qasja e ndjeshme ndaj traumës në sistemin e drejtësisë në rastet e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
3. Udhëzues mbi përdorimin e Dhomës së Sigurt në Gjykata.
Drejtoresha ekzekutive e QKRMT-së, Feride Rushiti tha se edhe pas 27 vitesh, shumë raste të dhunës seksuale kanë mbetur të pandëshkuara.
“Mungesa e llogaridhënies penale thellon stigmën, duke e bërë edhe më të vështirë procesin e shërimit për të mbijetuarit. Sot jemi këtu për të folur për drejtësi për të kërkuar atë dhe për të bërë më ta arritshme. Po prezantojmë tri dokumente strategjike që synojnë të rrisin ndjeshmërinë, besimin dhe trajtimin dinjitoz, duke i vendosur të mbijetuarit në qendër,” tha ajo.
Manuali për qasje të sigurt dhe të ndjeshme në drejtësi prezanton një model të integruar që bashkon përpikëmërinë ligjore me mbështetje psikosociale, me synimin për të parandaluar ritraumatizimin dhe për të forcuar cilësinë e ndjekjes penale të rasteve të dhunës seksuale të lidhur me konfliktin. Udhëzuesi praktik për përdorimin e dhomës se sigurt në gjykata, adreson pasojat psikologjike të thella, stigmatizimin shoqëror dhe frikën nga përballja me të pandehurin. Ndërkaq, udhëzuesi praktik: Qasja e ndjeshme ndaj traumës në sistemin e drejtësisë në rastet e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka për qëllim promovimin e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar në drejtësi.

