Kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka shkruar me rastin e 27 vjetorit të ndërhyrjes së NATO’së në Kosovë. Abdixhiku ka propozuar që 24 marsi të marrë trajtim formal duke u shënuar si datë kombëtare e Kosovës.
Kreu i LDK-së ka thënë se kjo datë nuk është vetëm një shenjë në kalendar, por nj ëmoment kujtimi për ditën kur historia ka ndërruar drejtim për Kosovën.
“Sot, gati tri dekada më pas, kujtojmë se liria jonë nuk ishte rastësi, por përputhje historike e sakrificës sonë me vendimin e drejtë të aleatëve tanë. Nga këndvështrimi i botës së sotme, ndoshta mund ta kuptojmë se sa me fat dhe sa e rrallë ishte kjo përputhje, Prandaj sot, kemi një detyrim të shenjtë. Ta ruajmë këtë miqësi, ta forcojmë rrugën tonë euroatlantike dhe të mos harrojmë kurrë pse dhe si u bëmë të lirë. Sepse liria dhe miqësia nuk janë vetëm kujtime. Janë përgjegjësi, çdo ditë.
Dhe mbi këtë përgjegjësi, ndoshta duhet të nisim nga trajtimi formal i 24 marsit si datë kombëtare të Republikës së Kosovës. Jo vetëm si një shenjë kalendari, por si një moment kujtimi për ditën kur historia ndryshoj drejtim për Kosovën”, ka shkruar ai.

