Mbi 50% e qytetarëve jashtë tregut të punës, statistikat nxjerrin në pah sfidat e ekonomisë në Kosovë

by engel

Mbi gjysma e popullsisë në moshë pune në Kosovë vazhdon të mbetet jashtë tregut të punës, gjë që ngre shqetësime serioze për zhvillimin ekonomik të vendit. Të dhënat më të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, të bazuara në Regjistrimin e Popullsisë (ReKos 2024), tregojnë një nivel të lartë jo-aktiviteti dhe një strukturë të brishtë të punësimit.

Sipas raportit, nga 1,063,687 persona në moshë pune, rreth 548,896 janë ekonomikisht joaktivë, që përbën 51.6 për qind të kësaj kategorie. Ndërkohë, shkalla e papunësisë ka arritur në 13.9 për qind.

banner

Të dhënat tregojnë një pabarazi të theksuar gjinore në tregun e punës. Shkalla e jo-aktivitetit te gratë është 65.4 për qind, krahasuar me 37.8 për qind te meshkujt. Po ashtu, rreth 79 për qind e grave aktive në kërkim të punës rezultojnë të papunësuara.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka reaguar ndaj këtyre shifrave, duke i cilësuar ato si tregues të një situate të rëndë ekonomike. Sipas tij, Kosova po përballet me humbjen e kapitalit njerëzor për shkak të nivelit të lartë të jo-aktivitetit dhe papunësisë.

Ai theksoi se ekonomia e vendit po mbështetet kryesisht në remitenca dhe konsum, në mungesë të një baze të qëndrueshme prodhuese, duke shtuar se mungesa e një strategjie të qartë për punësim dhe zhvillim ekonomik mbetet një ndër problemet kryesore.

Ndërkohë, të dhënat mbi punësimin vazhdojnë të paraqesin dallime. Sipas deklarimeve zyrtare, në fund të vitit 2023 numri i të punësuarve kishte arritur në rreth 425 mijë. Megjithatë, sipas Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, numri i llogarive aktive që pasqyrojnë punësimin formal është rreth 350 mijë, duke krijuar një hendek prej 80 deri në 90 mijë personash.

Sa i përket strukturës së punësimit, aktivitetet ekonomike mbeten të përqendruara në disa sektorë kryesorë. Tregtia kryeson me 19.7 për qind, e ndjekur nga prodhimi me 12.7 për qind, ndërtimtaria me 9.6 për qind, arsimi me 8.5 për qind dhe administrata publike me 8.2 për qind.

Punësimi i grave dominohet kryesisht nga sektorët e tregtisë, arsimit dhe shëndetësisë, ndërsa meshkujt janë më të përfaqësuar në ndërtimtari, prodhim dhe administratë publike.

Këto të dhëna nxjerrin në pah sfidat e vazhdueshme të tregut të punës në Kosovë, duke theksuar nevojën për politika më efektive në rritjen e punësimit dhe përfshirjen më të madhe të popullsisë në aktivitetin ekonomik.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy