Pasojat e luftës në Lindjen e Mesme po ndihen edhe në Kosovë. Rritja e çmimeve po prek sektorë të ndryshëm, duke përfshirë derivatet e naftës, biletat e transportit ndërurban, si dhe artikujt ushqimorë.
Kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, në një intervistë për Ekonomia Online thekson se çmimet do të vazhdojnë të rriten, ndërsa shton se Qeveria duhet të ndërmarrë veprime konkrete për të mbrojtur qytetarët dhe për të stabilizuar tregun.
Kaçaniku deklaron se Kosova përballet me mbipopullim të pompave të derivateve të naftës dhe se Qeveria ka pak mundësi për të parandaluar ngritjen e çmimeve.
“Shteti tanimë ka shumë pak mundësi për të bërë, për ta parandaluar ngritjen e çmimeve. Që nga legjislaturat e mëparshme, ne kemi mbipopullim të pompave të derivateve. Nga 250 sa ka nevojë Republika e Kosovës, kemi rreth 800. Kemi problem me kontrollin e pompave dhe të cilësisë. Po ashtu kemi problem ndërqeveritar dhe ndërkonsumator, sepse asnjë legjislaturë qeveritare ende nuk e ka njohur qytetarin konsumator, i cili njëherësh është edhe taksapagues. Ne e financojmë shtetin, parlamentin, qeverinë, ministritë dhe mekanizmat e kontrollit të tregut. Po të kishim treg të mirëfilltë, ai do të vepronte si rregullator i çmimeve dhe furnizimeve. Me faktin që ende nuk e kemi konsoliduar tregun, dëshmohet veprimi kaotik i çmimeve”, tha ai.
Kaçaniku thotë se Autoriteti i Konkurrencës duhet të veprojë dhe të identifikojë të gjithë ata që po e prishin konkurrencën në treg.
“Është e vërtetë se ngritja e çmimeve, sidomos te derivatet, shkakton efekt domino dhe nxit shtrenjtimin e artikujve të tjerë, fillimisht të transportit. Jo të gjithë transportuesit kanë paralajmëruar rritje çmimesh, por ata që e kanë bërë këtë, duken në kundërshtim me ligjin për konkurrencën e lirë. Shpresoj që Autoriteti i Konkurrencës do të veprojë dhe do t’i identifikojë këta subjekte”, u shpreh ai.
Kaçaniku përmendi edhe sektorët që pritet të preken nga rritja e çmimeve.
“Ngritje çmimesh do të ketë në transportin urban dhe ndërurban, në bujqësi, si dhe në prodhimtarinë vendore, përfshirë produktet bazë ushqimore si buka. Do të jemi me fat nëse përballemi vetëm me rritje çmimesh, pasi mungesa e derivateve tashmë po vërehet në Gjermani dhe mund të ndikojë edhe te ne”, theksoi ai.
I pyetur nëse duhet të rritet numri i inspektorëve, Kaçaniku u shpreh se Kosovës nuk i duhen më shumë inspektorë, por më shumë përkushtim.
“Nuk kemi nevojë për inspektorë shtesë, por për inspektorë të vëmendshëm dhe të përgjegjshëm, të cilët përmes gjobave ndikojnë në edukimin e bizneseve. Jo vetëm sa për sy e faqe, apo për të përmbushur norma në letër. Nëse një inspektor kthehet disa herë te i njëjti subjekt, atëherë kemi konflikt interesi”, potencoi ai.
Në fund, Kaçaniku theksoi se në kohë krizash, shteti dhe qytetarët duhet të fokusohen te kursimi dhe vetëdijesimi.
“Në këtë kohë krizash, kur Kosova është e rrethuar nga konflikte dhe jo shumë larg nga përvoja e pandemisë dhe luftës, duhet të jemi më të vetëdijshëm për kursim. Bashkë me qytetarët, edhe shteti duhet të mësojë të kursejë dhe të njohë rolin e konsumatorit si taksapagues”, përfundoi ai./EO

