Kapiteni i Kombëtares së Turqisë, Hakan Çalhanoglu, ka thënë se skuadra e tij e respekton maksimalisht kundërshtarin dhe nuk e nënvlerëson aspak.
Kombëtarja turke ka arritur të hënën në Prishtinë, ku të martën e pret ndeshja me Kosovën, në kuadër të fazës “play off” për Kupën e Botës.
Në konferencën për media në prishtinë, ku ka qenë i pranishëm edhe trajneri i Turqisë, Vincenzo Montella, Çalhanoglu është pyetur për presionin dhe deklaratat e fundit nga Federata Turke, por ai është shprehur i qartë se në futboll nuk ka vend për nënvlerësim.
“Unë nuk e nënvlerësoj asnjë kundërshtar. Në futboll kemi parë shumë shembuj të tillë. Edhe me Inter kemi humbur ndaj një skuadre si Bodo/Glimt. Prandaj e dimë sa e vështirë është çdo ndeshje”, ka deklaruar ai.
Kapiteni turk ka theksuar se përballja me Kosovën është vendimtare për rrugën drejt Kupës së Botës dhe se në këto ndeshje vendos më shumë zemra sesa cilësia.
“Kemi vetëm një ndeshje për të shkuar në Botëror. Në këto sfida nuk fiton gjithmonë skuadra më cilësore, por ajo që jep më shumë nga zemra në fushë”, është shprehur Çalhanoglu.
Ai ka vlerësuar edhe lojtarët e Kosovës, duke përmendur disa nga pikat më të forta të ekipit “Dardan”.
“Kosova ka shumë lojtarë të rrezikshëm. Të gjithë meritojnë respekt”, ka theksuar ai.
Çalhanoglu ka shtuar se atmosfera në ekipin turk është shumë e mirë dhe se lojtarët janë maksimalisht të motivuar, edhe pse ndjejnë presionin e kësaj sfide.
“E dimë që është një ndeshje shumë e rëndësishme. Jemi të motivuar dhe e ndiejmë përgjegjësinë. Për mua është një nga ndeshjet më të rëndësishme në karrierë”, ka deklaruar ai.
Futbollisti i Inter ka theksuar se ëndrra për Kupën e Botës ka qenë e kahershme për këtë gjeneratë të lojtarëve turq.
“Që fëmijë kemi ëndërruar të luajmë në Botëror. Tani kemi vetëm një hap larg dhe duam ta përfaqësojmë vendin tonë në mënyrën më të mirë”, është shprehur Çalhanoglu

