Virgil van Dijk ka kërkuar falje nga tifozët e Liverpool pas humbjes së rëndë 4-0 ndaj Manchester City në çerekfinalen e FA Cup.
Kapiteni i “Reds” e ka pranuar se skuadra është dorëzuar në pjesën e dytë dhe ka marrë përgjegjësi edhe për penalltinë që i dhuroi rivalit.
“Mund të kërkoj vetëm falje nga tifozët për atë që treguam, sidomos në pjesën e dytë”, ka thënë Van Dijk.
Ai ka shtuar se skuadra nuk reagoi si duhet pas pushimit. “Nuk duhet të dorëzohesh kurrë, por në një moment duket se kjo ndodhi”, është shprehur reprezentuesi holandez.
Mbrojtësi ka theksuar se disfata i ka lënduar të gjithë në klub. “I zhgënjyem tifozët, veten dhe trajnerin. Kjo më dhemb shumë”, ka thënë ai.
Liverpool tani duhet të reagojë shpejt para sfidës së vështirë ndaj Paris Saint-Germain në Champions league, ndërsa Van Dijk ka kërkuar unitet. “Duhet të qëndrojmë bashkë dhe të jemi gati mendërisht sa më shpejt”, ka thënë ai

