Të enjten mbrëma, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, adhuruesit e hendbollit do të kenë mundësinë të ndjekin nga afër disa prej hendbollisteve më të mira në botë.
Nga ora 20:15, Kombëtarja e Kosovës në hendboll në kategorinë e femrave, do të përballet me Kombëtaren e Francës, një prej superfuqive të padiskutueshme të hendbollit botëror.
Kombëtarja franceze ka një histori të pasur suksesi në arenën ndërkombëtare. Në Kampionatin Botëror të zhvilluar muaj më parë, Franca u rendit e treta, ndërsa më herët ka fituar titullin e kampiones së botës në vitet 2023, 2017 dhe 2003. Po ashtu, në koleksionin e saj numëron edhe katër medalje të argjendta dhe një të bronztë nga kampionatet botërore.
Sukseset e Francës shtrihen edhe në Lojërat Olimpike, ku në tri edicionet e fundit ka arritur rezultate të jashtëzakonshme: medaljen e argjendtë në Rio 2016, medaljen e artë në Tokio 2020 dhe sërish të argjendtën në Paris 2024.
Edhe në Kampionatin Evropian, francezet kanë dëshmuar nivel të lartë, duke fituar titullin në vitin 2018, duke u renditur të dytat në vitin 2020 dhe duke arritur në gjysmëfinale në edicionet 2022 dhe 2024.
Në kualifikimet aktuale për Euro 2026, Franca ka dominuar plotësisht, duke i fituar bindshëm katër ndeshjet e para dhe duke siguruar tashmë kualifikimin.
Megjithatë, pavarësisht se mysafiret konsiderohen favorite absolute, lojtaret e Kosovës janë të motivuara maksimalisht për të dhënë më të mirën në fushë dhe për të ofruar një paraqitje sa më dinjitoze para publikut vendas.

