Forcat ukrainase kanë rrëzuar disa dronë dhe gjashtë raketa lundruese ruse gjatë sulmit në portin e Odesës, kanë bërë të ditur autoritetet ukrainase, një ditë pasi Moska pezulloi marrëveshjen që i lejonte Kievin të transportonte grurë përmes portit të Detit të Zi. Moska e ka quajtur sulmin në Odesa “hakmarrje” për sulmin ukrainas në urën e Kërçit në Krime
(AP) – Ukraina ka raportuar se forcat e saj kanë rrëzuar dronët rusë dhe raketat që synonin portin e Odesës në Detin e Zi, para agimit të së martës, në atë që Moska e quajti “hakmarrje” për sulmin e mëparshëm që dëmtoi një urë të rëndësishme në Gadishullin e Krimesë.
Rusët fillimisht u përpoqën të dëmtojnë mbrojtjen ajrore të Ukrainës duke gjuajtur 25 dronë shpërthyes dhe më pas shënjestruan Odesan me gjashtë raketa lundruese Kalibr, ka thënë Komanda Jugore e Ushtrisë Ukrainase.
Të gjashtë raketat dhe dronët u qëlluan nga mbrojtja ajrore në rajonin e Odesas dhe zona të tjera në jug, thanë zyrtarët, megjithëse copëzat e tyre dëmtuan disa objekte portuale dhe disa ndërtesa banimi, si dhe plagosën një të moshuar në shtëpinë e tij.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se “goditja e saj e hakmarrjes” u krye me armë precize të lëshuara nga deti drejt objekteve ushtarake ukrainase pranë Odesas dhe Mykolaivit, një qytet bregdetar rreth 50 kilometra në verilindje.
Rusia shkatërroi objektet që përgatitnin “sulme terroriste” kundër Rusisë, duke përfshirë dronët detarë, si dhe një objekt në një kantier detar që po i prodhonte ato, tha Ministria. Rusia shtoi se goditi gjithashtu depot e karburantit të Ukrainës pranë dy qyteteve.
Nuk ishte e mundur të verifikoheshin pretendimet kontradiktore nga të dy vendet.
Sulmi më i madh në zonë
Presidenti rus, Vladimir Putin, fajësoi Ukrainën të hënën për sulmin në urën e Kërçit, e cila lidh Rusinë me Krimenë. Ura është një rrugë kryesore furnizimi për gadishullin, i cili u aneksua ilegalisht nga Moska në vitin 2014.
Zyrtarët ukrainas nuk e morën drejtpërdrejt përgjegjësinë, siç kanë bërë në sulme të ngjashme më parë.
Imazhet satelitore të siguruara, të hënën, nga Maxar Technologies treguan dëmtimet serioze si në korsitë në lindje ashtu edhe në perëndim të urës përgjatë ngushticës së Kërçit në pjesën më të afërt me kontinentin rus, me të paktën një pjesë të shembur. Ura hekurudhore që kalon paralelisht me autostradën u shfaq e padëmtuar.
Ushtria ruse ka goditur në mënyrë sporadike Odesën dhe rajonin fqinj gjatë gjithë luftës, por breshëria e së martës ishte një nga sulmet më të mëdha në zonë.
Forcat ukrainase kanë shënjestruar Krimenë me dronë dhe sulme të tjera. Kievi është zotuar ta rimarrë atë nga kontrolli rus, duke argumentuar se gadishulli luan një rol kyç në mbështetjen e pushtimit rus dhe është një objektiv legjitim.
Sulmi erdhi gjithashtu një ditë pasi Rusia prishi një marrëveshje që i kishte lejuar Ukrainës të transportonte furnizime jetike me drithëra nga Odesa gjatë luftës. Moska ka thënë se vendimi ishte në proces shumë kohë përpara sulmit në urë.
Megjithatë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, pretendoi, pa ofruar prova, se korsitë dhe rrugët specifike të transportit të përdorura për eksportin e grurit sipas marrëveshjes ishin abuzuar nga Ukraina.
“Ushtria jonë ka thënë vazhdimisht se Ukraina i ka përdorur këto korridore gruri për qëllime ushtarake”, u tha Peskov gazetarëve.
“Qëllimi i Rusisë është vrasja”
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka thënë se Ukraina do të vazhdojë zbatimin e marrëveshjes së grurit. Peskov paralajmëroi se një veprim i tillë ishte i rrezikshëm, sepse rajoni shtrihet pranë një zone ku ka luftime.
“Nëse ata përpiqen të bëjnë diçka pa Rusinë, këto rreziqe duhet të merren parasysh”, deklaroi Peskov para gazetarëve.
Zelenskyy tha se eksportet e grurit nga deti dhe siguria e portit ishin në krye të agjendës së takimit të tij, të martën, me komandantë të lartë ushtarakë dhe zyrtarë të lartë të qeverisë.
Andriy Yermak, kreu i zyrës presidenciale të Ukrainës, tha se Rusia po rrezikon jetën e miliona njerëzve në mbarë botën që kanë nevojë për eksportet e grurit ukrainas. Uria është një kërcënim në rritje në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Azi, dhe çmimet e larta të ushqimeve kanë shtyrë më shumë njerëz në varfëri.
“Bota duhet të kuptojë se qëllimi i Federatës Ruse është uria dhe vrasja e njerëzve”, ka thënë Yermak.
Kombet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë të Ukrainës kritikuan Moskën për pezullimin e Marrëveshjes së Grurit, duke thënë se ajo vuri shumë jetë në rrezik.
USAID-i do t’i dhurojë Ukrainës edhe 250 milionë dollarë të tjera për të mbështetur sektorin e saj bujqësor pasi shefja e saj, Samantha Power, vizitoi Odesan dhe kritikoi Moskën për qëndrimin e saj.
“Ndërprerja e tregtisë detare nga Rusia që nga fillimi i pushtimit të saj në shkallë të plotë, duke përfshirë bllokimin e porteve, vonimin e inspektimeve të anijeve dhe, së fundmi, tërheqjen nga Marrëveshja e Grurit, ka bllokuar rëndë sasinë e grurit që Ukraina është në gjendje t’i ofrojë botës në mes të një krize globale të ushqimit”, thuhet në një deklaratë të USAID-it.
Kremlini tha se marrëveshja do të pezullohej deri sa të përmbushen kërkesat e Moskës për të hequr kufizimet në eksportet e ushqimit dhe plehrave ruse në botë. Peskov ripohoi të martën një premtim të mëparshëm të Kremlinit për t’u siguruar vendeve veçanërisht të varfra në Afrikë, grurë falas, duke shtuar se çështja do të diskutohet në një samit Rusi-Afrikë në Shën Petersburg javën e ardhshme.
Wagneri në Bjellorusi
Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes tha gjithashtu se forcat e saj kishin penguar një sulm ukrainas në Krime duke përdorur 28 dronë. Ministria tha se 17 nga dronët sulmues u rrëzuan nga mbrojtja ajrore dhe 11 të tjerë u bllokuan nga mjetet e luftës elektronike dhe u rrëzuan. Ai tha se nuk kishte dëme apo viktima.
Gjithashtu të martën, fotot satelitore nga Planet Labs PBC, të analizuara nga Associated Press treguan se një kolonë automjetesh mbërriti në një bazë ushtarake dikur të braktisur, në Bjellorusi, e cila iu ofrua kontraktorit ushtarak privat të Rusisë, Wagner. Kjo pasoi rebelimin jetëshkurtër të muajit të kaluar kundër Ministrisë ruse të Mbrojtjes nga shefi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin.
Fotot, të marra të hënën, tregojnë një varg të gjatë automjetesh që dalin nga një autostradë në bazën pranë qytetit bjellorus të Osipovichit, rreth 75 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit, Minsk.
Belaruski Hajun, një grup aktivistësh që monitoron lëvizjet e trupave në Bjellorusi, tha se një kolonë prej më shumë se 100 automjetesh me flamuj rusë dhe simbole të grupit Wagner hyri në vend, duke u nisur për në kamp. Grupi tha se ishte kolona e tretë e Wagnerit që hynte në Bjellorusi që nga java e kaluar.