Për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës diskutuan mbrëmë në një darkë kryeministri Albin Kurti dhe emisari europian, Peter Sorensen. Ky proces ka ngecur në aktin final: te Asociacioni i komunave me shumicë serbe, që shihet si kriteri final për anëtarësim.
Kosovës ka kohë që i kërkohet hapi i parë konkret dhe praktik drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës në prill të vitit 2024 e kishte mbështetur një raport që rekomandonte anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë 47-anëtarëshe me seli në Strasburg, që është edhe vëzhgues zyrtar i Kombeve të Bashkuara. Por muajin pasues vendi u la jashtë agjendës së një takimi të ministrave të Jashtëm, të cilët duhet të vendosin përfundimisht për anëtarësimin ose jo.
Arsyeja lidhej me aktivitetin e vendeve të QUINT-it: Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Francë dhe Italië që kërkonin të shihnin nga lëvizje nga Kosova drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë pati një darkë pune me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kurtit, u diskutua edhe procesi i anëtarësimit në Këshillin e Europës.
“Në darkë u diskutua për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, përfshirë linjëzimin e plotë të politikës së jashtme me bllokun 27-anëtarësh si përcaktim strategjik, si dhe angazhimin dhe përkushtimin e Kosovës në përmbushjen e reformave. Në kontekst të integrimit evropian u diskutua edhe për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftim.
Sorensen, nga ana tjetër, ende nuk është deklaruar për këtë takim.
Kurti pati thënë në vitin 2024 se qeveria e tij nuk do ta pranojë themelimin e Asociacionit si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.
“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ne bisedojmë në Bruksel, e jo në Strasburg”, deklaronte ai.
Një draft-statut i hartuar për këtë asociacion nga BE-ja nuk është dërguar ende në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim, ashtu siç ka kërkuar Brukseli. Dokumenti parashikon rregullimin e pozitës së komunitetit serb, mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe financimin nga Serbia.
Edhe viti 2025 shkoi pa lëvizur përpara drejt anëtarësimit në KiE. Për herë të dytë radhazi çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës nuk u përfshi në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave.
Presidentja Vjosa Osmani, të cilës këtë muaj i përfundoi mandati, alarmonte vjet që të zgjidhej një qeveri e re përpara se të mblidhej Komiteti i Ministrave i KiE.
Por ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla atë vit, thoshte se moskonstituimi i Kuvendit e bënte më “të lehtë” për shtetet anëtare që të mos e përfshinin këtë çështje në agjendën e pikave për shqyrtim.
Pasi çështja përfundimisht s’u vendos në agjendë për shqyrtim, zëvendësministri Kreshnik Ahmeti tha se Kosovës po i kërkohen padrejtësisht “kritere jozyrtare” për t’u anëtarësuar në KiE.

