Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane, konkretisht udhëheqja e tij, njofton se pati një takim “produktiv dhe përmbajtjesor” me Senatorin Cory Booker të Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.
Në njoftim për takimin theksohet se “në një kohë kur polarizimi është i thellë në politikën amerikane, është e rëndësishme të theksohet se mbështetja për Kosovën dhe për një marrëdhënie të fortë SHBA-Shqipëri mbetet fort dypartiake. Si Demokratët ashtu edhe Republikanët e njohin rëndësinë strategjike të faktorit shqiptar në Ballkan. AARC mbetet e përkushtuar për të punuar në të gjithë sferën politike për të forcuar më tej lidhjet e qëndrueshme midis popullit amerikan dhe atij shqiptar”.
“Gjatë diskutimit tonë, Senatori u pajtua se është në interesin kombëtar të SHBA-së që Kosova të integrohet në NATO dhe që shqiptarët në rajon të luajnë një rol të forcuar si një forcë stabilizuese dhe një bastion kundër ndikimit të keq rus dhe kinez. AARC theksoi rëndësinë e lidershipit të ripërtërirë të SHBA-së në procesin e dialogut, me njohjen e ndërsjellë si objektivin e saj qendror – në përputhje me politikën e gjatë të SHBA-së”, vijon njoftimi.
Tutje, në njoftim thuhet: “Ne gjithashtu e informuam Senatorin mbi zhvillimet aktuale në Maqedoninë e Veriut, duke përfshirë shqetësimet e vazhdueshme në lidhje me zbatimin e të drejtave të gjuhës shqipe dhe protestat e fundit të studentëve, duke nënvizuar nevojën për vëmendje të vazhdueshme ndaj standardeve demokratike si mekanizma stabiliteti”.
Takimi përfundoi me një diskutim me perspektivë rreth një vizite të mundshme të Senatorit në rajon në të ardhmen e afërt.
“AARC do të vazhdojë avokimin e saj për të siguruar që çështjet shqiptare të mbeten një përparësi në Uashington dhe që SHBA-të të ruajnë rolin e tyre udhëheqës në promovimin e paqes, stabilitetit dhe vlerave demokratike në Ballkan”, përfundon njoftimi.

