Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit ish komandant i UÇK-së, Fadil Hadergjonaj i gëzohet vendimit që mori Kuvendi për dërgimin e kontigjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në mision ndërkombëtar në Gaza, .
Hadergjonaj në një intervistë për Ekonomia Online u shpreh se vet ka qenë pjesë e proceseve prej fillimit deri tek formimi i Ushtrisë së Kosovës dhe marrja pjesë e saj në misione ndërkombëtare për stabilizim.
“Është një vendim i jashtëzakonshëm, është një vendim i madh i Kuvendit të Republikës së Kosovës, sidomos përçkon mesazhin e fuqishëm se subjektiviteti i Republikës së Kosovës gjithnjë e më shumë po rritet. Kur flasim për Forcën e Sigurisë së Kosovës, kjo ka themelet e forta në UÇK. Sot patëm edhe 27 vjetorin e rënies së heroit Sali Çekaj dhe 12 dëshmorëve të tjerë, por historia na tregon dhe aktiviteti i Sali Çekajt ishte një ndër nismëtarët dhe ideatorët e themelimit të grupeve të armatosura deri edhe në ngritjen, zhvillimin e UÇK-së dhe luftës për çlirimin e Kosovës. Pastaj proceset nëpër të cilat ka kaluar FSK-ja, pjesëtarët e saj janë sfiduar, sidomos gjatë kohës së TMK-së për shkak të kushteve, çarmatimit, për shkak të gjitha aspekteve që kanë qenë. Por vetëm vullneti i madh dhe vendosmëria e tyre ka bërë që të vazhdojnë e të qëndrojnë përkundër pagave të vogla, përkundër mungesës së pajisjeve, përkundër mungesës së infrastrukturës ligjore dhe shumë e shumë gjërave të tjera. Por ishin të betuar dhe të vendosur që amanetin e të rënëve për lirinë e Kosovës ta çojnë në vend. E ai amanet ishte që ne të kemi shtet, të kemi institucione të forta të sigurisë dhe gjithsesi të ecim në procesin e integrimeve euroatlantike që janë edhe vizion strategjik që nga Presidenti Rugova”, tha Hadergjonaj për EO.
Ai tha se marrja e këtij vendimi është meritë e të gjithëve mirëpo veçanarisht e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët janë shume profesionistë dhe të stërvitur ndërkombëtarisht.
“Vendimi që ne morëm në Kuvend i ka paraprirë një marrëveshje e quajtur “Marrëveshja e Bordit të Paqes”, pjesë e të cilës është edhe Republika e Kosovës, ndër themeluesit e atij bordi. Dhe nga aty burojnë pastaj edhe obligimet e forcës ndërkombëtare stabilizuese pjesë e të cilës do të jetë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës për t’i dhënë fund apo për të zbatuar planin gjithëpërfshirës për dhënien fund të konfliktit në Lindjen e Mesme, përkatësisht në Gaza. Vërtet është një arritje e madhe dhe kjo meritë ekskluzive është e natyrisht e të gjithëve, por në veçanti është e profesionalizmit dhe ekspertizës si dhe përfaqësimit dinjitoz të pjesëtarëve të FSK-së, të cilët janë ngritur, zhvilluar dhe stërvitur në kuadër të standardeve ndërkombëtare. Kështu që merita u takon atyre, sepse kudo që janë shfaqur, qoftë në aktivitete individuale, qoftë në aktivitete kolektive, stërvitje të ndryshme të përbashkëta me shumëkombëshe, kanë treguar një performancë të jashtëzakonshme dhe kanë treguar se kanë arritur një nivel të zhvillimit dhe profesionalizmit që e lakmojnë edhe shumë ushtri rajonale. Dhe kjo e ka rritur, është dëshmi se FSK-ja është bërë një partner i besueshëm për miqtë tanë, në veçanti për SHBA-të dhe shtetet e NATO-s që na ndihmojnë që bashkarisht ta kemi edhe lirinë edhe pavarësinë edhe shtetin e Kosovës. Është një arritje e madhe, unë si një prej pjesëtarëve të të gjitha këtyre proceseve deri në pensionimin tim, vërtet jam shumë krenar dhe i lumtur sepse unë asnjëherë, edhe pse kam përfunduar shërbimin aktiv në uniformë, vazhdoj të shërbej në formë tjetër, por prapë mendjen, bindjen dhe zemrën e kam te ushtarët tanë”, tha Hadergjonaj.

