Drenica, Malisheva dhe Dukagjini kanë shënuar fitore në ndeshjet e xhiros së njëzet e nëntë në Superligën e Kosovës në futboll.
Në Skenderaj, Drenica ka marrë një fitore minimale 1:0 ndaj Dritës. Golin e vetëm të ndeshjes e ka shënuar Chacon në minutën e dyzet e tretë, duke i siguruar skuadrës së tij tri pikë.
Ndeshje interesante ka qenë ajo në stadiumin “Liman Gegaj”, ku Malisheva e ka mposhtur Ballkanin me rezultat 4:2.
Mysafirët kanë kaluar të parët në epërsi me golin e Giovanni në minutën e pesëmbëdhjetë dhe e kanë mbyllur pjesën e parë me avantazh 1:0. Në pjesën e dytë, Malisheva ka reaguar me Etnik Brrutin që e ka barazuar rezultatin nga penalltia në minutën e pesëdhjetë e gjashtë, ndërsa vetëm tre minuta më vonë Diatta Assane e ka përmbysur rezultatin në 2:1.
Brruti ka realizuar sërish në minutën e tetëdhjetë e dytë për 3:1, ndërsa Ballkani është rikthyer në lojë me golin e Almir Kryeziut në minutën e tetëdhjetë e shtatë për 3:2.
Megjithatë, në kohën shtesë, Xhylani e ka vulosur fitoren e Malishevës nga penalltia për rezultatin përfundimtar 4:2.
Dramë e vërtetë ka qenë edhe në Gjilan, ku Dukagjini e ka mposhtur skuadrën vendase me rezultat 3:2.
Dukagjini ka kaluar në epërsi në pjesën e parë me golin e Altin Merlakut në minutën e njëzet e katërt. Gjilani e ka barazuar përmes Rrahmanit në minutën e pesëdhjetë e një.
Në pjesën e dytë, Dienit Isufi ka shënuar për 2:1 në minutën e pesëdhjetë e pestë, ndërsa Gjilani ka arritur ta barazojë në minutën e 90+3 për 2:2. Kur pritej që ndeshja të përfundonte në barazim, në minutën e 90+6, Dukagjini ka shënuar sërish, duke marrë një fitore me rezultat 3:2.
Pas ndeshjeve të sotme, Drita vazhdon kryesimin e tabelës me pesëdhjetë e katër pikë, ndërsa Prishtina e Re gjendet në vendin e fundit me njëzet e tetë pikë

