Nëntëmbëdhjetë persona janë paraqitur sot para Gjykatës Themelore në Mitrovicë, pasi u arrestuan gjatë aksionit të Policisë së Kosovës kundër skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në Mitrovicë, Skenderaj, Vushtrri dhe Istog.
Nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë është konfirmuar për KosovaPress se është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 27 personave.
“Për 27 persona kemi bërë kërkesë, në Vushtrri, Mitrovicë dhe Skenderaj”, ka deklaruar zëdhënësi i Prokurorisë, Valon Preteni.
Të shtunën, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë zhvilluan një aksion të gjerë kundër krimeve piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në Mitrovicë, Skenderaj, Vushtrri dhe Istog.
Sipas njoftimit të përbashkët, gjatë operacionit janë kontrolluar 50 lokacione të ndryshme, përfshirë lokale afariste dhe shtëpi private.
Gjatë bastisjeve janë sekuestruar rreth 170 mijë euro para të gatshme, pesë automjete, armë zjarri, si dhe pajisje të tjera që dyshohet se janë përdorur për aktivitete të kundërligjshme.
Në mesin e 34 personave të arrestuar, 29 prej tyre janë dërguar në mbajtje.

