Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Bedri Hamza, ka deklaruar se ka pranuar një komunikim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtin.
Hamza para mediave bëri me dije se Kurti i ka bërë ofertë PDK-së për t’ia dhënë pozitën e kryetarit të Kuvendit, derisa ajo e nënkryetarit që e ka kjo parti t’i kalojë VV-së.
Ai e quajti këtë ofertë joserioze.
“Sepse kryesia e Kuvendit është konstituar, Kuvendi është i konstituar, janë zgjedhur janë të votuar. Nuk e kemi kontestuar këtë çështje, nuk jemi duke folur për kryetar të Kuvendit. Nuk kemi shkuar të lypim pozitë as për vetë as për ndonjërin nga anëtarët e Partisë Demokratike. Kemi shkuar që me i dhënë vendit institucione dhe stabilitet politik. Kjo nuk është fare serioze”, deklaroi Hamza para mediave.

