Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndryshimin e përbërjes së Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës. Ky vendim është arsyetuar me nevojën për adresimin e një numri të madh të ankesave të evidentuara gjatë mandatit të komisionit paraprak, të cilat, sipas deklarimeve publike, kanë ndikuar në besueshmërinë e procesit të provimit.
Megjithatë, IKD vlerëson se ky vendim është haptazi në kundërshtim me ligjin. Anëtarët aktualë të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës kanë mandat aktiv deri në dhjetor të këtij viti, mandat ky i përcaktuar me vendimet përkatëse, të cilat janë shfuqizuar nga Qeveria pa asnjë bazë ligjore. Ligji Nr. 08/L-033 për Provimin e Jurisprudencës, në asnjë dispozitë të tij, nuk i jep autorizim Qeverisë që të ndryshojë përbërjen e këtij Komisioni gjatë kohëzgjatjes së mandatit të anëtarëve të tij. Për rrjedhojë, ndërprerja e mandatit në këtë mënyrë, mbi bazën e arsyetimeve të përgjithshme dhe abstrakte, paraqet veprim arbitrar, duke cenuar parimin e ligjshmërisë dhe sigurisë juridike.
Mënyra se si tentohet të ndryshohet përbërja e këtij Komisioni krijon dyshime serioze për ndërhyrje në punën e tij. Këto dyshime shtohen edhe më tej kur kihet parasysh se Ministria e Drejtësisë, në kundërshtim me ligjin, nuk ka shpallur afatet për dhënien e Provimit të Jurisprudencës që nga afati i prillit 2025. Në këto rrethana, ndryshimi i përbërjes së Komisionit nuk mund të shihet i ndarë nga mënyra se si është administruar ky proces nga Ministria e Drejtësisë.
Për këto arsye, IKD vlerëson se ky është një vendim i kundërligjshëm dhe i bën thirrje Kuvendit të Republikës së Kosovës që të mos e votojë të njëjtin. Kuvendi nuk duhet të legjitimojë një vendim që është marrë pa bazë ligjore dhe që cenon besueshmërinë, sigurinë juridike dhe pavarësinë e funksionimit të këtij Komisioni.
Në anën tjetër, dilema serioze ngrihen edhe në raport me përbërjen e re të propozuar të Komisionit. Kryetar i këtij Komisioni është propozuar z. Arian Gashi, i cili aktualisht ushtron funksionin e Kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Sipas nenit 18.5 të Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, “Kryesuesi, zëvendëskryesuesi dhe anëtarët prokurorë të Këshillit nuk kanë të drejtë të ushtrojnë ndonjë detyrë tjetër publike apo profesionale për të cilën shpërblehen me pagesë, përveç mësimdhënies në institucionet e arsimit të lartë, Akademisë së Drejtësisë apo rasteve të parapara me ligj”.
Po ashtu, mbajtja e dy pozitave drejtuese ngre dilema edhe në raport me Ligjin Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik. Neni 13.2 i këtij ligji përcakton se zyrtari i lartë nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një organi drejtues të ndërmarrjes në pronësi publike, shoqërisë aksionare me pronë publike si dhe organeve të institucioneve të tjera publike, përveç nëse parashihet ndryshe shprehimisht me ligj. Sipas të njëjtit nen, zyrtari i lartë, në cilësinë e anëtarit të organeve të përmendura, nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me të. Përballë këtyre dilemave për ekzistimin e konfliktit të interesit, IKD vlerëson se i mbetet Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit që ta shqyrtojë ekzistimin eventual të konfliktit të interesit në rastin konkret.

