Dita kur Sevasti Qiriazi Dako mbylli sytë

by informim

Nga: Niko Kotherja

30 gusht. Në një banesë tradicionale tiranase dha frymën e fundit pionierja e arsimit kombëtar shqiptar për femra, Sevasti Qiriazi Dako.

banner

Jeta e saj 70-vjeçare kaloi peripeci te panumërta, të ndryshme, duke rrezikuar jetën dhe familjen për shkollën shqipe, si dhe për çështjen kombëtare.

Prej vitit 1941 do të fillonin fatkeqësitë në familjen e saj. Atë vit vdiq bashkëshorti, patrioti i shquar Kristo Dako. I balsamosur nga i biri, Gjergji, trupi i Dakos u vendos në varrezën familjare në Kamzë.

Pas dy vitesh, më 1943, krejt familja u internua në Zemun, ku mrekullia bëri që të mos shuhej kjo familje. Të rraskapitur, Sevastia me motrën e saj Parashqevi, dy djemtë Gjergj dhe Skender, dhe dy nuset e tyre me fëmijët, kthehen në Tiranën e vitit 1945. Iu ishte sekuestruar gjithçka. Shtëpia dhe shkolla në Kamzë nuk ishte më e tyre.

Përdhosja që filloi të mposhtte mësuesen veterane ishte makabre. Studentët e Kursit të Partisë që kishin uzurpuar godinat e tyre kishin thyer varrin e xhamtë të Kristo Dakos, i kishin shkulur kokën atij dhe me të kishin luajtur futboll…! Mësueseve të para të shqipes iu la si favor që nëse dëshironin të banonin në kotecin e pulave të shtëpisë së tyre. Pasi e lyen me gëlqere të bardhë, si zemra e tyre, për pak kohë veteranët jetuan aty derisa u dëbuan edhe prej atje. Të mbetura rrugëve, ato gjetën mbështetje dhe strehë te ish-kuzhinierja e “Institutit Kyrias”, Rukije Tafaj.

Helmi i fundit që mori nga kjo jetë ishte varja në qeli e të birit, Gjergjit, kirurgut që ishte akuzuar për spiunazh dhe gjendej i burgosur. Sevastia nuk mundi as të tërhiqte trupin e të birit, pasi atë e shkatërroi traktori që punoi tokën.

Në gjendje të vajtueshme, Sevasti Qiriazi Dako mbylli sytë në shtëpinë e Rukije Tafajt. Si “armike” u përcoll për në banesën e fundit vetëm nga katër gra, Parashqevia, nuset e dy djemve, ish-kuzhinierja Tafaj dhe dy varrmihës.

Ishte viti 1949. 30 gusht.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy