Juventus ka nisur lëvizjet për të përforcuar portën për sezonin e ardhshëm, duke vendosur në krye të listës emrin e Alisson Becker.
Sipas raportimeve të fundit, bardhezinjtë kanë bërë një qasje fillestare për portierin e Liverpool, duke e konsideruar atë si kandidatin ideal për t’u transferuar gjatë verës. Alisson shihet si një profil i nivelit të lartë që mund të rikthehet në Serie A, ku më parë ka shkëlqyer me Romën.
Burime pranë situatës bëjnë të ditur se portieri brazilian është i hapur për një lëvizje të mundshme, megjithatë gjithçka varet nga vendimi i Liverpoolit. Klubi anglez rinovoi kontratën e tij vetëm muajin e kaluar për edhe një sezon, ndërsa vetë lojtari vazhdon të tregojë respekt maksimal ndaj klubit dhe nuk do të ndërmarrë hapa pa miratimin e tyre.
Nga ana tjetër, Liverpool pritet të vlerësojë situatën e portierëve në javët në vijim, ku përveç Alissonit në diskutim është edhe emri i Giorgi Mamardashvili.
Ndërkohë, Juventusi mbetet në pritje, duke shpresuar se mund të përfitojë nga çdo hapësirë e mundshme për të realizuar një transferim të madh në repartin defensiv.

