Mbrëmë janë zgjedhur mesfushorët më të mirë në historinë e Milanit dhe tre emra legjendarë janë futur në “Hall of Fame” të klubit kuqezi.
Bëhet fjalë për legjendat Carlo Ancelotti, Ruud Gullit dhe Kaká, tri figura ikonike që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e klubit milanez,
Zgjedhja është bërë përmes votimeve, duke e vlerësuar kontributin e tyre të jashtëzakonshëm si në aspektin teknik ashtu edhe në sukseset e arritura me fanellën kuqezi.
Ancelotti, përveçse një trajner legjendar, ka qenë edhe një nga shtyllat e mesfushës së Milanit në vitet ’80.
Gullit, fitues i Topit të Artë, ishte një nga protagonistët kryesorë të epokës së artë të klubit, ndërsa Kaká, gjithashtu fitues i “Ballon d’Or”, ishte lideri i Milanit në sukseset e viteve 2000.
Me këtë përfshirje në “Hall of Fame”, klubi kuqezi vazhdon t’i nderojë figurat që e kanë bërë historinë dhe kanë kontribuar në ndërtimin e identitetit të tij ndër vite.

