Përfundon dëshminë dëshmitari i 15-të, gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve rinis më 14 gusht

by informim

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, me përfundimin e dëshmisë së dëshmitarit të 15-të me radhë (me kodin 04586), gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit do të rinis më 14 gusht 2023.

Dëshmitari me kodin 04586 ka dëshmuar përmes video-lidhjes, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

banner

Duke qenë se ekipet e mbrojtjes nuk kanë pasur pyetje për këtë dëshmitar, seanca ka vazhduar me pyetjet e trupit gjykues.

Me pyetje ka filluar anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Guenawl Mettraux, i cili e ka pyetur atë nëse i njëjti i kishte raportuar dikujt atë që i kishte ndodhur anëtarit të familjes së tij, e që dëshmitari u përgjigj me ‘‘po’’.

Ndërkaq, kur u pyet se kujt ia kishte treguar këto ngjarje, DhSK-ja ka vendosur që përgjigja e dëshmitarit të ketë përmbajtje të redaktuar dhe kështu ka mbetur edhe pjesa tjetër e përgjigjeve të tij.

Më tej, një pjesë e shkurtë e deklarimit të tij ka qenë në seancë publike por që ka qenë e pamundur të kuptohen plotësisht deklarimet e dëshmitarit.

Në këto rrethana, dëshmia e tij ka përfunduar dhe se gjykimi për këtë çështje gjyqësore do të rinis më 14 gusht, pas pushimit të Gjykatës Speciale, me dëshmitarët e radhës.

Ndryshe, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith paraprakisht tregoi se të akuzuarit Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë hequr dorë nga prania e tyre në sallë për këtë seancë dhe të njëjtën e kanë përcjellë përmes video-lidhjes.

Dëshmitari i 15-të vazhdon dëshminë e tij edhe sot në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Dëshmitari i 15-të me radhë (me kodin 04586) në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon dëshminë e tij edhe gjatë seancës së të enjtes.

Ndryshe në seancën e së mërkurës u lexua përmbledhja e deklaratës së tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Ndërkaq, nga ZPS nuk ka pasur pyetje për dëshmitarin e pyetjet nga mbrojtësi i viktimave kanë qenë me përmbajtje të redaktuar.

Por, pasi që gjatë asaj seance dëshmitari ka treguar se ka probleme shëndetësore, me fillimin e seancës së sotme, ekipet e mbrojtjes kanë deklaruar se janë dakorduar se nuk do t’i bëjnë pyetje dëshmitarit me kodin 04586.

Kurse, trupi gjykues ka bërë të ditur se do të bëjnë pyetjet e tyre.

Seanca po vazhdon në sesion publik.

Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith ka dhënë një urdhër me gojë me të cilin kanë vendosur që të shtyhen afatet për përgjigje për ekipet mbrojtëse lidhur me mocionin e dytë të prokurorisë sipas rregullës 155 dhe atë për 20 ditë nga shpërndarja e mocionit.

Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill,  12 prill,  13 prill dhe më 17 prill.

Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e  dëshmitarit i nëntë.

Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i 11-të i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i 12-të, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit

Mustafa ka vazhduar dhënien e dëshminë së tij në seancën e 12, 13, 14, 17 dhe 18 korrikut.

Ndërsa dëshmitari i 14-të me radhë, Francis Ladwidge, oficeri britanez që shërbeu në Kosovë filloi dëshminë po më 18 korrik dhe e mbaroi më 19 korrik, ku nisi dëshminë dëshmitari i 15-të.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. 

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy