Pas takimeve që ka zhvilluar emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, me kryenegociatorët, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Twitter, Lajçaku ka thënë se me Vuçiqin kanë rënë dakord për rëndësinë që urgjentisht të ndërmerren hapa për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Rama shkruan se diskutimet janë të mira, por ajo që i nevojitet rajonit është një përparim para se të jetë tepër vonë. Sipas tij “rajoni nuk mund të bëhet peng i një krize të pafund mes Kosovës dhe Serbisë”. Rama i bën thirrje BE-së që të veprojë për të garantuar zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi.
“BE-ja duhet të veprojë me vendosmëri për të siguruar që të zbatohet Marrëveshja Themelore. Rajoni ynë nuk mund të mbetet peng i një krize të pafundme mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të lejojmë që as veriu i Kosovës, ku kufiri mes krimit të organizuar dhe politikës vendore, të bëhet një Donbas i vogël dhe as dialogu të bëhet një lojë për të fajësuar Ballkanin e vjetër nga mungesa e vullnetit mes palëve që janë të përfshira. Diskutimet janë pozitive, por rajonit i nevojitet përparim përpara se të jetë tepër vonë”, thotë Kryeministri Edi Rama.