Drejtori artistik i Festivalit “Akordet e Kosovës”, kompozitori Florent Boshnjaku, ka deklaruar se Festivali “Akordet e Kosovës” është një histori muzikore dhe një trashëgimi e çmuar e jona.
“Që nga momenti i parë kur rifilluam Festivalin e Këngës, të gjithë kemi qenë të lumtur që kjo pasuri muzikore dhe kulturore po vazhdon të jetojë dhe të zhvillohet në Kosovë”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai tha se synimet tona janë të qarta: Eurovision Song Contest dhe Junior Eurovision Song Contest mbeten platforma të rëndësishme që hapin rrugë të mëdha për artistët tanë, kudo që ndodhen. “Njëkohësisht, vazhdimi i traditës dhe ruajtja e kulturës muzikore mbeten thelbësore për zhvillimin kulturor të vendit tonë”, tha ai.
Boshnjaku ka falënderuar udhëheqësit e Radio Televizionit të Kosovës për besimin që të jetë në pozitën e udhëheqësit artistik të festivalit edhe në vitin 2026.
Ndryshe, “Akordet e Kosovës” rikthehen këtë vit nën organizimin e Radio Televizionit të Kosovës, duke sjellë dy festivale në një edicion të vetëm.
Me propozim të drejtorit të Festivalit të Këngës në RTK, Rilind Gërvalla, edhe në edicionin e katërt të RTK Fest, si dhe në edicionin e parë të Festivalit të Këngës për Fëmijë, drejtor artistik do të jetë kompozitori Florent Boshnjaku
Gërvalla ka vlerësuar angazhimin dhe kontributin e Boshnjakut në tri edicionet e deritanishme të festivalit, duke shprehur bindjen se edhe edicioni i katërt do të sjellë krijime të veçanta artistike për publikun.

