Sipas të dhënave të presidentit amerikan Trump, Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë rënë dakord për një marrëveshje kornizë për t’i dhënë fund luftës. Bllokada e Ngushticës së Hormuzit do të hiqet.
Kancelari gjerman Friedrich Merz (CDU) e përshëndeti arritjen e marrëveshjes kornizë mes SHBA-së dhe Iranit dhe uroi presidentin amerikan Trump për një “arritje diplomatike historike”. Marrëveshja mund të hapë rrugën për një rimëkëmbje të ekonomisë botërore dhe stabilizimin e rajonit”, deklaroi Merz natën mes të dielës dhe të hënës (15.06.).
Njëkohësisht, Kancelari gjerman, Merz kërkoi që “ajo që është rënë dakord të zbatohet me vendosmëri”. Ngushtica e Hormuzit, e rëndësishme për tregtinë globale të naftës dhe gazit të lëngshëm, duhet të “mbetet e hapur në mënyrë të përhershme dhe pa kufizime për lundrimin e lirë”, u shpreh kancelari gjerman. Për më tepër, negociatat e tjera duhet “në javët në vijim të sigurojnë që Irani ta përfundojë në mënyrë të verifikueshme programin e tij bërthamor ushtarak”. Gjithashtu, nuk duhet të ketë “sulme të tjera kundër Izraelit dhe vendeve të tjera fqinje në rajon”.
Kurse Presidenti francez Emmanuel Macron ka njoftuar se, në kuadër të samitit të G7 që nis të hënën në Evian të Francës, do të zhvillohen bisedime për hapjen e përhershme të Ngushticës së Hormuzit. “Qëllimi do të jetë të shqyrtohen pasojat e kësaj marrëveshjeje, mbështetja për Libanin, rihapja e përhershme e Ngushticës së Hormuzit dhe, natyrisht, përfundimi i një marrëveshjeje për programin bërthamor dhe atë të raketave në Iran”, tha Macron të dielën në mbrëmje në një mesazh video të publikuar në platformën online Instagram.
Por pas marrëveshjes kornizë mes Iranit dhe SHBA-së për zgjidhjen e konfliktit, ekspertët paralajmërojnë kundër një optimizmi të parakohshëm. “Edhe nëse kjo marrëveshje qëndron, mbeten çështjet e vështira: programi bërthamor i Iranit, mbështetja për forcat ndërmjetëse, raketat dhe dronët, si edhe shtypja brenda vendit”, theksoi Richard Fontaine nga Instituti “Center for a New American Security”. Kjo marrëveshje kornizë, për rrjedhojë, nuk është aspak fundi i luftës, madje as “fillimi i fundit”. Megjithatë, ajo mund të përbëjë një hap të parë në drejtimin e duhur, vlerëson Fontaine.
Arritja e marrëveshjes
Pas javësh negociatash, Shtetet e Bashkuara dhe Irani, sipas vendit ndërmjetësues Pakistanit dhe qeverisë amerikane, kanë ranë dakord të dielën (14.06.)për kushtet kornizë për përfundimin e luftës. “Pas bisedimeve intensive, kemi kënaqësinë të njoftojmë se marrëveshja e paqes ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës Islamike të Iranit është arritur”, shkroi kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, në platformën X.
Menjëherë pas njoftimit, edhe presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi përfundimin e një marrëveshjeje me Iranin. Ai miratoi hapjen e Ngushticës së Hormuzit për lundrim pa tarifa dhe njëkohësisht urdhëroi heqjen e menjëhershme të bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Ndërkohë, Trump bëri të ditur se Ngushtica e Hormuzit do të hapet vetëm të premten. Arsyeja janë punimet e nevojshme për pastrimin e minave. Pas kësaj, nafta do të rrjedhë sërish lirshëm, në dobi të rajonit dhe të gjithë botës.
Edhe agjencia iraniane e lajmeve Tasnim raportoi, duke iu referuar burimeve të paidentifikuara, për hapjen e ngushticës pas nënshkrimit të një marrëveshjeje kornizë të premten.
Zyrtarizimi i marrëveshjes të premten e ardhshme
Sharif deklaroi se të dyja palët kanë garantuar ndërprerjen e menjëhershme dhe përfundimtare të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë edhe në Liban. Ceremonia zyrtare e nënshkrimit, sipas tij, pritet të zhvillohet të premten në Zvicër.
Edhe zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kasem Gharibabadi, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim, tha se teksti i marrëveshjes kornizë është finalizuar. Detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e marrëveshjes nuk u bënë fillimisht të ditura. Megjithatë, marrëveshja kornizë është vetëm një hap i ndërmjetëm. Marrëveshje të tjera të rëndësishme në konfliktin mes dy vendeve, si për shembull çështja bërthamore, pritet të negociohen në detaje gjatë bisedimeve të mëtejshme.
Sulmet në Liban rrezikuan marrëveshjen
Në orët e fundit, marrëveshja u vu sërish në pikëpyetje. Shkak për këtë ishin sulmet e përsëritura të ndërsjella në konfliktin mes Izraelit dhe milicisë libaneze Hezbollah. Një sulm i Hezbollahut në veri të Izraelit u pasua të dielën në mesditë nga një kundërsulm i Izraelit pranë Bejrutit.

