Saka rrezikon për Botërorin

by Nexhat

Ylli i Anglisë, Bukayo Saka, ka pranuar se po merr një “rrezik” me gjendjen e tij fizike për të qenë i gatshëm në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026 kundër Kroacisë.

Sulmuesi i Arsenal FC vazhdon të vuajë nga një problem në tendinën e Akilit, i cili e ka penguar të luajë rregullisht gjatë muajve të fundit. Lëndimi u shfaq fillimisht në finalen e Kupës së Ligës kundër Manchester City dhe që atëherë ai ka humbur disa ndeshje të rëndësishme.

banner

Pavarësisht shqetësimeve, 24-vjeçari këmbëngul se është gati për të ndihmuar skuadrën e drejtuar nga Thomas Tuchel.

“Nuk dua të them asgjë që bie ndesh me atë që thotë trajneri, por mund të them se stafi mjekësor i Arsenalit dhe ai i Anglisë kanë bërë një punë të jashtëzakonshme që nga marsi. Ndihem më mirë se në muajt e fundit dhe jam gati të luaj”, deklaroi Saka.

Futbollisti pranoi se aktivizimi në një gjendje jo ideale mbart rreziqe, por ai është i gatshëm t’i marrë ato.

“Si lojtar, ky është rreziku më i madh. Kur nuk ndihesh në formën tënde më të mirë, duhet të zgjedhësh mes të mos luash ose të dalësh në fushë duke ditur se njerëzit do të të gjykojnë njësoj. Në fund të ditës, askujt nuk i intereson si ndihesh, të gjithë presin që të japësh rezultate. Unë jam i gatshëm ta marr këtë rrezik”, shtoi ai.

Saka beson se triumfi i Arsenalit në Premier League dhe përvoja në ndeshje të mëdha do ta ndihmojnë edhe kombëtaren angleze në Botëror.

“Tani e dimë çfarë duhet për të fituar. Kjo të jep më shumë besim dhe vetëbesim”, u shpreh sulmuesi.

Ndërkohë, Tuchel përballet me një dilemë të rëndësishme përpara ndeshjes me Kroacinë. Trajneri duhet të vendosë nëse do ta aktivizojë Sakan nga minuta e parë apo do të tregojë kujdes për të shmangur përkeqësimin e lëndimit.

Pas përballjes me Kroacinë, Anglia do të luajë edhe kundër Ganës dhe Panamasë në fazën e grupeve, ndërsa menaxhimi i gjendjes fizike të lojtarëve kryesorë mund të jetë vendimtar për suksesin e “Tre Luanëve” në turne.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy