Një zhvillim i rëndësishëm është shënuar në hetimin italian për të ashtuquajturin “Safari në Sarajevë”, që lidhet me pretendimet se shtetas të huaj paguanin për të qëlluar mbi civilët gjatë rrethimit të Sarajevës në vitet 1992-1995.
Njësia Speciale e Operacioneve të Karabinierëve italianë (ROS) ka kryer një bastisje në shtëpinë e një 65-vjeçari në provincën Alessandria, njëri nga katër personat e dyshuar në këtë rast. Sipas hetuesve, kontrolli ka rezultuar pozitiv dhe ka çuar në sekuestrimin e materialeve që konsiderohen me vlerë të madhe provuese.
Gjatë operacionit janë gjetur dhe konfiskuar një silenciator, pajisje teknike specifike, si dhe një fotografi që hetuesit e vlerësojnë si “shumë domethënëse”, pasi në të i dyshuari shfaqet me pajisjet e sekuestruara.
65-vjeçari ishte marrë më herët në pyetje nga autoritetet italiane, por kishte zgjedhur të mos përgjigjej, duke u mbështetur në të drejtën për të heshtur.
Sipas mediave italiane, bastisja e së mërkurës është urdhëruar nga prokurori i Milanos Alessandro Gobbis dhe prokurorja kryesore Marcella Viola. Në qendër të hetimit kanë qenë edhe dëshmitë e ish-bashkëshortes dhe ish-partneres së të dyshuarit.
Ato kanë deklaruar para hetuesve se ai u kishte rrëfyer se vuante nga makthe të vazhdueshme për shkak të vrasjeve që pretendonte se kishte kryer në Bosnje dhe Hercegovinë gjatë viteve ’90.
Autoritetet italiane po analizojnë materialet e sekuestruara dhe po verifikojnë nëse silenciatori i gjetur është teknikisht i përshtatshëm për armët e përdorura gjatë luftës në Bosnje.
Hetimi synon të zbardhë pretendimet për “Safari në Sarajevë”, term që përdoret për të përshkruar raste të dyshuara kur shtetas të huaj paguanin për të qëlluar mbi civilët në Sarajevë nga pozicionet e forcave serbe që rrethonin qytetin gjatë luftës.
Çështja u riaktualizua pas kallëzimit të gazetarit italian Ezio Gavazzeni. Sipas pretendimeve që po hetohen, mes viteve 1992 dhe 1995 disa persona nga Italia dhe vende të tjera udhëtuan në Bosnje për të marrë pjesë në vrasjen e civilëve, përfshirë gra, të moshuar dhe fëmijë, gjatë rrethimit të Sarajevës. Hetimet mbeten në zhvillim. /Klix.ba

