Kontrata e Victor Munozit me Liverpoolin raportohet se do të përfshijë një klauzolë që mund të rezultojë potencialisht katastrofike për klubin anglez.
Munoz, 22 vjeç, ishte lidhur fort me një transferim te Newcastle Unitedi i drejtuar nga Eddie Howe gjatë kësaj vere, por më 17 qershor Liverpooli ndërhyri dhe rrëmbeu marrëveshjen.
U raportua gjerësisht se klubi nga Merseyside aktivizoi klauzolën e lirimit prej 40 milionë eurosh (34.6 milionë funte) të anësorit të Osasunës.
Munozi, i cili aktualisht është pjesë e skuadrës së Spanjës në Kupën e Botës, pritet të nënshkruajë një kontratë gjashtëvjeçare në “Anfield”.
Stafi mjekësor i klubit ndodhet në SHBA për të kryer kontrollet mjekësore përpara se transferimi të bëhet zyrtar.
Spanjolli ka luajtur në akademitë e Barcelonës dhe Real Madridit, përpara se të regjistronte dy paraqitje me ekipin e parë të Realit në vitin 2025.
Më pas ai iu bashkua Osasunës në vitin 2025, ku sezonin e kaluar realizoi shtatë gola dhe pesë asistime në 36 ndeshje, duke ndihmuar ekipin të përfundonte në vendin e 17-të në La Liga.
Munozi ka gjithashtu dy paraqitje me kombëtaren e Spanjës.
Ai mund të luajë në të dy krahët e sulmit, si dhe në qendër kur është e nevojshme.
Shpejtësia, intensiteti dhe loja e tij direkte mendohet se kanë qenë cilësitë që e kanë bërë tërheqës për trajnerin Andoni Iraola.
Ardhja e 22-vjeçarit mund ta shtyjë edhe më poshtë në hierarki Federico Chiesan në “Anfield”, me italianin që vazhdon të lidhet me një largim nga klubi gjatë kësaj vere.
Pak orë pasi dolën raportimet për transferimin e Munozit, media spanjolle “AS” raportoi se Real Madridi do të përfitojë një pjesë të shumës prej 34.6 milionë funtesh, ndërsa gjithashtu do të ketë të drejtën e refuzimit të parë për lojtarin falë një klauzole të riblerjes, e cila mund të aktivizohet në fund të sezonit të tij të parë te Liverpooli.
Raporti thotë: “Real Madridi do të marrë 25 milionë euro për lojtarin e akademisë që debutoi me ekipin e parë nën drejtimin e Carlo Ancelottit. Kjo përfshin 5 milionë eurot që Osasuna pagoi për transferimin e tij dhe gjysmën e klauzolës së lirimit që Liverpool po i paguan tani klubit nga Navarra”.
Si Real Madridi ashtu edhe Barcelona kishin shqyrtuar mundësinë e transferimit të Munozit, por Jose Mourinho vendosi veton ndaj marrëveshjes, ndërsa Barcelona zgjodhi të nënshkruante me anësorin anglez Anthony Gordon.
Liverpooli pritet ta paguajë shumën e transferimit në dy këste.
“Reds” mbeten të interesuar edhe për anësorin e majtë të RB Leipzigut, Yan Diomande, pavarësisht se e kanë përfunduar marrëveshjen për Munozin.
Klubi nga Merseyside vazhdon gjithashtu të monitorojë situatën e sulmuesit të PSG-së, Bradley Barcola

