Në selinë e UEFA-s sot u hodh shorti për fazën “play-off”-it të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027 në konkurrencën e femrave, ku për herë të parë në histori pjesë e kësaj faze është edhe Kombëtarja e Kosovës.
Në ceremoninë e shortit, Federata e Futbollit e Kosovës u përfaqësua nga shefja e futbollit të femrave, Valbona Gashi Uka dhe trajnerja e Kombëtares A, Xhuli Berisha.
Shorti përcaktoi që Dardanet në gjysmëfinalen e “play-off”-it do të përballen me Austrinë. Ndeshja e parë do të zhvillohet më 9 tetor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa sfida e kthimit do të luhet më 13 tetor në Austri.
Në rast kualifikimi, Kosova në finalen e “play-off”-it do të ndeshet me fituesin e çiftit Izrael –Zvicër. Ndeshjet finale janë paraparë të zhvillohen më 1 dhe 5 dhjetor.
Arritja në këtë fazë paraqet një sukses historik për futbollin e femrave në Kosovë. Dardanet siguruan vendin në “play-off” pasi e përfunduan me sukses ciklin kualifikues në Ligën C, duke u renditur në vendin e parë të grupit.
Njëkohësisht, ato siguruan edhe promovimin në Ligën B për edicionin e ardhshëm kualifikues

