Jose Mourinho thuhet se i ka kërkuar Real Madridit të nënshkruajë edhe një tjetër ish-yll të Premierligës pasi siguroi transferimet e Marc Cucurella, Ibrahima Konate dhe Bernardo Silva.
Që nga rikthimi i tij në “Bernabéu” për një mandat të dytë si trajner i Real Madridit më herët këtë muaj (qershor), Mourinho nuk ka humbur kohë për t’i bërë të qarta kërkesat e tij.
Pas rizgjedhjes së presidentit afatgjatë Florentino Perez, Reali paraqiti një ofertë prej 130 milionë paundësh për Julian Alvarez të Atletico Madridit, e cila u refuzua menjëherë.
Dhe ndërsa ajo sagë pritet të vazhdojë gjatë gjithë verës, Reali tashmë ka konfirmuar transferimet e Cucurellas nga Chelsea dhe Konates nga Liverpooli.
Mbrojtësi i krahut i Interit, Denzel Dumfries, është lidhur gjithashtu fort me një kalim te gjigantët e La Ligës, ndërsa Silva ka mbërritur në Madrid pas skadimit të kontratës së tij me Manchester Cityn.
Dean Huijsen dhe Trent Alexander-Arnold, të cilët iu bashkuan Realit verën e kaluar, përbëjnë një grup në rritje të ish-yjeve të Premierligës që aktualisht janë pjesë e kampionëve 15-herë të Europës. Edhe mbrojtësi Antonio Rudiger më parë ka luajtur për Chelsean.
Dhe lista e ish-lojtarëve të elitës angleze në klub mund të zgjerohet edhe më tej këtë verë pasi, sipas mediumit spanjoll “Marca”, Mourinho personalisht i ka kërkuar klubit të transferojë mesfushorin e Chelseat, Enzo Fernandez.
Fernandez, i cili ka kontratë me Chelsean deri në vitin 2032, vlerësohet me 120 milionë paund nga klubi londinez.
Mesfushori i West Hamit, Mateus Fernandes, është gjithashtu një objektiv, pavarësisht interesimit nga Tottenhami dhe Manchester Unitedi, megjithëse transferimi i tij dhe i Fernandezit njëkohësisht duket i pamundur për momentin.
Ishte raportuar se kishin nisur bisedimet mes Chelseat dhe Real Madridit për largimin e mundshëm të Fernandezit.
Megjithatë, “Daily Mail” pretendon se burime pranë palëve kanë konfirmuar se nuk ka pasur asnjë kontakt zyrtar.
Chelsea ende pret një qasje nga Reali, ndërsa kushtet personale me lojtarin pritet të arrihen pa vështirësi.
Ish-bashkëlojtari i Fernandezit te Chelsea, Cucurella, tashmë e ka mirëpritur mundësinë që argjentinasi t’i bashkohet skuadrës së Realit.
“Ai është një lojtar i shkëlqyer dhe një mik i imi,” tha Cucurella për “Marca”.
“Më uroi për transferimin. Shpresoj që të ndodhë. Do të isha shumë i lumtur. Ishim shumë të lumtur te Chelsea dhe të kemi mundësinë që të dy të nënshkruajmë për Real Madridin në të njëjtën verë. Shpresoj që të ketë fat dhe të bëhet lojtar i Real Madridit”, shtoi ai.
Fernandez, i cili iu bashkua Chelseat nga Benfica për një shumë rekord në Britani prej 106.8 milionë paundësh në vitin 2023, ka regjistruar 31 gola dhe 30 asistime në 169 paraqitje me “Blutë”.
Fernandez ka shprehur gjithashtu admirimin e tij për qytetin e Madridit, duke pranuar se do të dëshironte të jetonte në kryeqytetin spanjoll pasi i kujton kryeqytetin argjentinas, Buenos Airesin.
“Më pëlqen shumë Madridi – është i ngjashëm me Buenos Airesin,” tha ai në mars.
Komentet e tij e futën në telashe me trajnerin e atëhershëm të Chelseat, Liam Rosenior, dhe si pasojë lojtari u pezullua për dy ndeshje.
Kjo bëri që agjenti i lojtarit, Javier Pastore, ta quante ndëshkimin “plotësisht të padrejtë”

