Rast i rëndë: Futbollistit argjentinas i vdesin gruaja dhe dy fëmijët nga tërmeti në Venezuelë

by Nexhat

Gruaja dhe fëmijët e futbollistit argjentinas Lucas Trejo janë gjetur të pajetë pas tërmeteve shkatërruese që goditën Venezuelën.

Vendi u godit të mërkurën nga dy tërmete me magnitudë 7.2 dhe 7.5, ndërsa deri më tani raportohet se kanë humbur jetën të paktën 1,430 persona.

banner

Sipas mikut të familjes, Edson Tortolero, gruaja e Trejos, Yanina Maranella, si dhe dy fëmijët e tyre, Aarón dhe Ainhoa, janë mes viktimave të tragjedisë.

Edhe vetë futbollist, Tortolero shkroi në “Instagram”:

“Informojmë të gjithë popullin e Venezuelës dhe Argjentinës se trupat e pajetë të familjarëve të Lucas Trejos janë gjetur. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen dhe kërkojmë respektin më të sinqertë për familjen e tij në këtë moment. LUTEMI PËR JETË TË PËRJETSHME PËR TA”, shkroi ai.

Klubi i Trejos, Club Sport Marítimo de La Guaira, konfirmoi gjithashtu lajmin e hidhur përmes një deklarate, duke bërë të ditur se kërkimet për gruan dhe fëmijët e tij kishin zgjatur 74 orë.

“Club Sport Marítimo La Guaira shpreh pikëllimin e thellë për humbjen që ka pësuar familja e Lucas Trejos. Kërkojmë respekt për të afërmit dhe shokët e tij të skuadrës. Pas një kërkimi 74-orësh, ata u gjetën të pajetë”, shkruan klubi i tij.

Trejo, 38 vjeç, iu bashkua Marítimos në fillim të këtij viti dhe pjesën më të madhe të karrierës së tij e ka kaluar duke luajtur në Venezuelë.

Sipas raportimeve nga Argjentina, babai dhe vëllai i tij kishin udhëtuar drejt Venezuelës për ta ndihmuar në kërkimet e dhimbshme për Yaninën, Aarónin dhe Ainhoan.

Mbrojtësi kishte publikuar të shtunën një fotografi të ëmbël të familjes së tij në Instagram Story, ndërsa në prill i kishte uruar ditëlindjen bashkëshortes së tij.

“Gëzuar ditëlindjen, dashuria ime!!! Zoti e bekoftë me bollëk jetën tënde dhe vazhdoftë t’i përmbushë dëshirat e zemrës sate. Është një bekim për ne si familje që të kemi pranë dhe të ecim përpara në misionin që kemi së bashku! Me ty gjithçka është gjithmonë më e lehtë dhe më e bukur”, kishte shkruar ai.

Fatkeqësisht, Marítimo është goditur edhe nga humbje të tjera.

Klubi njoftoi ndarjen nga jeta të futbollistit 14-vjeçar Victor Palacios, një produkt i akademisë së tij.

Gjithashtu, Marítimo bëri të ditur edhe vdekjen e punonjëses së klubit, Adriana Aranguren.

Ndërkohë, si pasojë e tërmeteve, të paktën 68,900 persona raportohen ende të zhdukur, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy