Saga e transferimit të Diomandes merr një kthesë tjetër, Leipzigu del me komunikatë zyrtare

by Nexhat

RB Leipzigu ka lëshuar një deklaratë publike për të ardhmen e anësorit të vlerësuar me 100 milionë euro, Yan Diomande, mes interesimit të madh nga Liverpooli dhe Paris Saint-Germain.

Diomande ndodhet aktualisht me Bregun e Fildishtë në Kupën e Botës, ku ka ndihmuar kombëtaren afrikane të arrijë në fazën me eliminim direkt.

banner

19-vjeçari ka qenë titullar në të tre ndeshjet e deritanishme dhe regjistroi një asist në fitoren 2-0 ndaj Curacaos, fitorja e dytë e Bregut të Fildishtë në turne.

Në nivel klubi, Diomande shënoi 12 gola dhe dha tetë asistime në sezonin e tij debutues në Bundesliga me Leipzigun.

Paraqitjet e tij të shkëlqyera kanë tërhequr menjëherë vëmendjen e klubeve më të mëdha të Evropës, me PSG-në dhe Liverpoolin që konsiderohen favoritët për ta transferuar këtë verë.

Liverpooli tashmë ka përfunduar marrëveshjen për anësorin e Osasunës, Víctor Muñoz, i cili do të bëhet zyrtarisht lojtar i “The Reds” më 1 korrik, pasi klubi aktivizoi klauzolën e lirimit prej 40 milionë eurosh.

Megjithatë, klubi anglez synon të transferojë edhe një anësor tjetër dhe Diomande konsiderohet objektivi kryesor.

Situata ndryshoi të dielën, kur gazetari i “The Athletic”, David Ornstein, raportoi se lojtari nga Bregu i Fildishtë preferon t’i bashkohet fituesit të Ligës së Kampionëve, PSG-së, këtë verë.

Liverpooli gjithashtu do të luajë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, pasi e përfundoi Premier League në vendin e pestë, ndërsa ka emëruar Andoni Iraolan si trajner të ri pas shkarkimit të Arne Slot.

Megjithatë, Diomande nuk besohet se ua ka komunikuar drejtuesve të Liverpoolit vendimin e tij përfundimtar, gjë që lë ende shpresë për realizimin e një prej transferimeve më të shtrenjta në historinë e klubeve të Premier League.

Së fundmi, vetë RB Leipzigu ka sjellë një zhvillim të ri në këtë sagë.

Klubi gjerman, i njohur për zhvillimin e talenteve të rinj dhe shitjen e tyre për shuma të mëdha, ka krijuar një reputacion të fortë në këtë drejtim.

E njëjta strategji është ndjekur edhe nga RB Salzburg, si në rastin e Erling Haaland, i cili u shit te Borussia Dortmund përpara se të transferohej te Manchester City.

Për këtë arsye, pritej që Leipzigu të mos e pengonte largimin e Diomandes nëse do të merrte ofertën e kërkuar.

Por drejtori sportiv i klubit, Marcel Schäfer, ka bërë të ditur se kjo nuk është domosdoshmërisht e vërtetë.

Ish-lojtari i Wolfsburgut, me 256 paraqitje në Bundesliga, deklaroi se Leipzig nuk ka ndërmend ta shesë Diomanden këtë verë.

“Qëllimi ynë është shumë i qartë: Yan Diomande do të luajë për RB Leipzigun sezonin e ardhshëm. Dhe nuk do të tërhiqemi nga ky qëndrim. Ne e dimë çfarë lojtari kemi,” tha Schäfer për Bild.

Megjithatë, ai pranoi se në të ardhmen klubi do ta lejojë lojtarin të bëjë hapin e radhës në karrierë.

“Sigurisht, nëse Yan vazhdon të zhvillohet në këtë mënyrë, do të vijë momenti kur do t’i japim mundësinë të bëjë hapin e radhës. Por jo këtë vit,” përfundoi ai

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy