Sulmuesi i Belgjikës, Romelu Lukaku, ka bërë një deklaratë të sinqertë para ndeshjes së 1/16 së finales së Kupës së Botës 2026 ndaj Senegalit, duke pranuar se në kushte normale nuk do të duhej të ishte pjesë e turneut për shkak të problemeve me lëndimet gjatë sezonit.
33-vjeçari ka pasur një sezon të vështirë me Napolin, ku ka luajtur shumë pak minuta, por në Botëror ka arritur të jetë më aktiv, duke u shfaqur shpesh si “super-zëvendësues” për Belgjikën.
“Nëse e shikon sezonin tim, normalisht nuk do të duhej të isha në Botëror. Por jam i lumtur që jam këtu, që po luaj dhe po ndihmoj ekipin,” u shpreh Lukaku.
Sulmuesi belg ka shënuar një gol dhe ka dhënë një asist në vetëm 121 minuta lojë në turne, duke qenë vendimtar sidomos nga stoli.
Në ndeshjen ndaj Egjiptit, ai ndikoi menjëherë në lojë duke shkaktuar një autogol vetëm pak sekonda pas futjes në fushë, ndërsa ndaj Zelandës së Re realizoi gol pak minuta pas inkuadrimit.
Lukaku theksoi se roli i tij si zëvendësues kërkon përqendrim të veçantë dhe analizë të detajuar të kundërshtarit.
“Kur je në stol duhet të jesh shumë i vëmendshëm dhe të kuptosh hapësirat që mund të shfrytëzosh,” shtoi ai.
Belgjika, e drejtuar nga Rudi Garcia, e mbylli grupin në vend të parë dhe tani përballet me një sfidë të fortë ndaj Senegalit, për të cilën Lukaku paralajmëron një ndeshje të barabartë.
“Taktikisht dhe fizikisht janë shumë të fortë. Do të jetë një sfidë e madhe. Mendoj se gjasat për fitore janë 50-50,” përfundoi ai

