4 Korriku dhe zgjedhja historike e shqiptarëve

by Nexhat

Shkruan: Nikollë D. Ukaj

Në vigjilje të 4 Korrikut, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kremtojnë 250-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, shqiptarët kanë më shumë se një arsye për ta parë këtë datë si një moment reflektimi. Për ne, ajo nuk është vetëm festa kombëtare e një vendi mik, por edhe përkujtim i një aleance që ka ndikuar në mënyrë vendimtare në mbrojtjen e lirisë, të drejtës për vetëvendosje dhe shtetformimit të Kosovës. Pikërisht për këtë arsye, 4 Korriku na rikthen te një pyetje themelore: çfarë e përcakton drejtimin historik të një kombi? Gjeografia, interesi i çastit apo sistemi i vlerave që ai zgjedh të mbrojë?

banner

Për shqiptarët, përgjigjja nuk gjendet në retorikën politike të ditës, por në vetë historinë e tyre. Nga Arbëria e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, deri te vizioni shtetformues i Ibrahim Rugovës, ekziston një vazhdimësi që dëshmon se orientimi ynë nuk ka qenë kurrë rastësor. Ai është ndërtuar mbi bindjen se liria, demokracia dhe dinjiteti njerëzor janë themelet mbi të cilat ndërtohen kombet.

Historia dëshmon se kombet nuk ndërtohen vetëm mbi fitoret ushtarake apo sukseset politike të një kohe. Ato ndërtohen mbi zgjedhjet që bëjnë në çastet vendimtare të ekzistencës së tyre.

Shqiptarët janë pjesë e qytetërimit perëndimor, me traditën, gjuhën dhe kulturën e tyre, dhe lidhjen me Perëndimin nuk e kanë zgjedhje vetëm politike. Ata kanë zgjedhur të jetojnë përbrenda vlerave që mbështeten mbi dinjitetin njerëzor, demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Kjo nuk është një tezë politike, por një përfundim historik.

Kur Gjergj Kastrioti – Skënderbeu u bë mburojë e Arbërisë, ai nuk mbrojti vetëm trojet shqiptare. Ai afirmoi përkatësinë e shqiptarëve në hapësirën politike dhe kulturore të Evropës. Më vonë, Pjetër Bogdani e vazhdoi këtë mision me shpatë, por edhe me dije.

Në kohën moderne, këtë vazhdimësi e interpretoi me thellësi Ismail Kadare. Në reflektimet e tij mbi historinë dhe identitetin shqiptar, ai argumentoi se vendi i shqiptarëve në Evropë nuk është një aspiratë e krijuar nga politika bashkëkohore, por një realitet historik i ndërtuar ndër shekuj. Për të, orientimi drejt Perëndimit ishte një zgjedhje qytetëruese, e mbështetur mbi historinë, kulturën dhe vetë identitetin kombëtar.

Kjo filozofi mori përmbajtje politike në vizionin e Presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai nuk ndërtoi vetëm një strategji diplomatike për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Ai ndërtoi një koncept shtetformues, duke e vendosur partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe demokracitë perëndimore në themel të projektit politik të Kosovës. Për Rugovën, kjo nuk ishte një zgjedhje e imponuar nga rrethanat, por vazhdim logjik i një përcaktimi historik që shqiptarët e kishin kultivuar ndër breza. Jo rastësisht ai shprehej: “Pavarësia e Amerikës është simbol i pavarësisë dhe lirisë për të gjithë popujt mbi tokë.”

Historia e shekullit XX e konfirmoi drejtësinë e këtij përcaktimi. Nga mbështetja vendimtare e Presidentit Woodrow Wilson për mbrojtjen e shtetit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore, te paralajmërimi i Presidentit George H. W. Bush për Kosovën, nga vendimi historik i Presidentit Bill Clinton për ndërhyrjen e NATO-s kundër spastrimit etnik, deri te mbështetja e Presidentit George W. Bush për pavarësinë e Kosovës, ekziston një vijimësi e qartë e politikës amerikane në mbështetje të çështjes shqiptare. Kjo nuk ishte rastësi diplomatike, por ndërtimi i një aleance mbi vlera të përbashkëta.

Pikërisht këtu qëndron arsyeja pse shqiptarët janë ndër popujt që jo vetëm e kanë mbështetur më fort Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe kanë besuar më thellë në idealin që ato përfaqësojnë. Për shqiptarët, Amerika nuk ka qenë vetëm një aleate strategjike apo një fuqi botërore. Ajo është parë si simbol i lirisë, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtës së çdo populli për të jetuar i lirë. Ky besim nuk buron nga emocioni, moda politike apo interesi i çastit. Ai është ndërtuar mbi përvojën historike. Në momentet kur vihej në pikëpyetje liria, dinjiteti dhe e ardhmja politike e shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u gjendën në anën e tyre. Për këtë arsye, marrëdhënia e shqiptarëve me Amerikën nuk është vetëm një aleancë politike, por edhe një bashkim rreth idealeve dhe vlerave që kanë udhëhequr rrugëtimin tonë historik.

Sot, kur bota po përballet me tensione të reja gjeopolitike dhe kur në hapësirën publike shfaqen herë pas here zëra që relativizojnë orientimin euro-atlantik ose kërkojnë alternativa të tjera strategjike, shqiptarët kanë detyrimin të kujtojnë përvojën e tyre historike. Popujt e pjekur nuk e ndryshojnë lehtë drejtimin e tyre historik. Ata e mbrojnë atë, sepse e dinë se liria, siguria dhe zhvillimi nuk ndërtohen mbi eksperimente politike, por mbi vlera të qëndrueshme dhe aleanca të dëshmuara në kohë.

Historia nuk u kërkon kombeve të jenë mirënjohëse pafundësisht. Ajo u kërkon të jenë të mençura. Popujt që harrojnë arsyet pse mbijetuan, rrezikojnë të humbasin qartësinë në kohë pasigurie. Për shqiptarët, orientimi euro-atlantik nuk është trashëgimi e një brezi, as politikë e një qeverie dhe as zgjedhje e një partie. Ai është një përcaktim historik, i ndërtuar ndër shekuj dhe i vulosur në momentet më vendimtare të fatit tonë kombëtar.

Prandaj, 4 Korriku është shumë më tepër se festa kombëtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për shqiptarët, ai është një kujtesë se liria, shteti dhe dinjiteti ynë janë ndërtuar mbi besimin te vlerat e qytetërimit perëndimor dhe mbi një aleancë që ka ndryshuar rrjedhën e historisë sonë. Aleancat e mëdha nuk maten vetëm me interesat e ditës, por me gjurmën që lënë në historinë e kombeve. Marrëdhënia e shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës i përket pikërisht kësaj kategorie.

Në këtë jubile historik, shqiptarët kanë arsye të shprehin mirënjohjen dhe respektin e tyre për popullin amerikan, duke uruar 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës – kombit që u bë simbol i lirisë, mbrojtës i demokracisë dhe shpresë për popujt që besojnë te dinjiteti njerëzor, pavarësia dhe vlerat e qytetërimit perëndimor.

Gëzuar 4 Korrikun dhe urime 250-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy