Kriza politike dhe institucionale në Kosovë po vazhdon të ndikojë në funksionimin e plotë të institucioneve, në proceset legjislative dhe në jetën e qytetarëve.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha për KosovaPress, se vendi po funksionon për të dytin vit pa institucione të plota, siç tha ai, si pasojë e zgjedhjeve të përsëritura.
Sipas tij, moskrijimi i institucioneve po cenon të drejtat e njeriut dhe po krijon pasiguri te qytetarët për zhvillimet e mëtejshme në vend, transmeton Klankosova.tv.
“Është viti i dytë që po vazhdon Kosova me funksionu pa institucione të plota, si rezultat i zgjedhjeve që po ndodhin në Kosovë të përsëritura. Mungesa e krijimit të institucioneve cenon dhe ndikon shumë keq tek të drejtat e njeriut, në radhë të parë për shkak të ngecjes së nismave legjislative, të ndryshimit të ligjeve dhe nxjerrjes së ligjeve të reja që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, në mirëqenien e tyre dhe në rritjen e standardit. Po natyrisht ndikon shumë edhe në vetë punën e institucioneve të tjera, të cilat në mungesë të autoriteteve mbikëqyrëse, mbesin në një dinamikë shumë të ulët të angazhimit në punën e tyre të përditshme, por edhe në projekte të cilat nuk arrijnë me i përfundua dhe nuk arrijnë me i nis të reja. Dhe kjo natyrisht ka bërë që sot qytetarët e Kosovës me u ballafaqu me një situatë të një pasigurie, ose paparashikueshmërie, se çfarë do të ndodhë më tej”, thotë Qelaj.
Ai pret që rezultati i zgjedhjeve të fundit të finalizohet me krijimin e institucioneve, duke paralajmëruar se vazhdimi i krizave politike e institucionale do ta thellonte edhe më shumë dëmin për vendin.
Sipas Qelajt, një numër i institucioneve funksionojnë me mandate të vazhduara, përfshirë edhe institucionin e Avokatit të Popullit.
“Unë konsideroj që rezultati i zgjedhjeve të fundit do të finalizohet me krijim të institucioneve dhe nuk do të vazhdohet me kriza të tjera politike institucionale, sepse jemi edhe në një situatë të vështirë ku një numër i madh i institucioneve janë me mandate të vazhduara, përfshirë edhe Avokatin e Popullit. Pra, unë jam në pozitën e Avokatit të Popullit me mandat të vazhduar, sipas ligjit deri në zgjedhjen e Avokatit të ri, përndryshe unë mandati pesëvjeçar më ka përfunduar qysh në tetor të vitit që shkoi.. Dëmi që po i shkaktohet Kosovës me moskrijim të institucioneve është i jashtëzakonshëm. Mendoj që përgjegjësia institucionale, politike e njerëzve që kanë përgjegjësi me i kriju këto institucione duhet të jetë më e shtuar dhe më e rritur, nuk duhet me u mendu gjithmonë vetëm kalkulimet politike, të ndarjes së pushtetit”, shton ai.
Avokati i Popullit, thekson se kriza institucionale ka sjellë kufizime buxhetore, ngecje në nisma legjislative, projekte infrastrukturore dhe reforma në drejtësi. Ai thotë se një ndër parimet kryesore të reformës në drejtësi duhet të jetë respektimi i ndarjes së pushteteve.
“Ne kemi kufizime buxhetore, kufizime të nismave legjislative, të projekteve të reja infrastrukturore. Kemi ngecje të reformës në drejtësi, kemi ngecje në shumë procese të tjera që janë nisur dhe kjo është si rezultat i kësaj krize institucionale e politike që në njëfarë mënyre po e humb edhe kuptimin e vet.. Unë e para që e vlerësoj të rëndësishme, të reformës në drejtësi, është që me u respektu ndarja e pushteteve. Duhet me e ditë, gjithkush që jeton në Kosovë dhe që bart përgjegjësi institucionale, që ndërhyrja në pushtete dhe ndikimi ose kapja e pushteteve gjyqësore nga legjislativi, nga ekzekutivi cenon rëndë demokracinë e Kosovës”, thekson ai.
Ai ka ngritur shqetësime edhe për tendencat e ndërhyrjes në sistemin e drejtësisë, duke bërë thirrje që politika dhe ekzekutivi të qëndrojnë larg ndikimit në gjyqësor dhe prokurori.
Zgjedhjet e fundit në Kosovë janë mbajtur më 7 qershor të këtij viti, ku fituese doli subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje.
Certifikimi i rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk është bërë ende, pas ankesa të disa kandidatëve për deputetë në Gjykatën Supreme të Kosovës.
Kreu i LVV-së, Albin Kurti ka deklaruar për media se pas certifikimit të rezultateve do të komunikojë me partitë politike për të arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve por edhe zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Zgjedhjet e kaluara janë mbajtur më 28 dhjetor dhe 9 shkurt, në të cilat po ashtu fituese ishte LVV-ja por që nuk u arrit një marrëveshje në zgjedhjet e dhjetorit për zgjedhjen e presidentit

