Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka thënë se sot në Kosovë kanë ndodhur dy raste të cilat dyshohet të jenë vetëvrasje.
Rasti i parë ka ndodhur rreth orës 15:40 në Prizren, ku një grua rreth moshës 54-vjeçare është gjetur e vdekur në banesën e saj.
“Rasti i parë është raportuar rreth orës 15:40, kur është pranuar informata se në rrugën “Turgut Özal” në Prizren, në banesën e saj, ndodhej një person pa shenja jete. Patrulla policore ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ekipi i Emergjencës ka konstatuar vdekjen e viktimës. Sipas informacioneve fillestare, viktima është femër, rreth 54 vjeçe. Bazuar në rrethanat e evidentuara në vendin e ngjarjes, dyshohet se viktima ka kryer vetëvrasje”, ka thënë ai.
Ndërkaq, rasti i dytë ka ndodhur në Restelicë të Dragashit, ku një person rreth moshës 68-vjeçari është gjendur i vdekur.
“Rasti i dytë është raportuar rreth orës 17:50, kur nga një zyrtar policor është pranuar informata se në një zonë pyjore në fshatin Restelicë, komuna e Dragashit, është gjetur një person pa shenja jete. Patrulla policore dhe ekipi i Emergjencës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar vdekja e viktimës. Sipas informacioneve fillestare, viktima është mashkull, rreth 68 vjeç. Bazuar në rrethanat e para të evidentuara në vendin e ngjarjes, dyshohet se viktima ka kryer vetëvrasje”, ka thënë Bytiql.
Për të dy rastet janë njoftuar prokurori kompentent dhe kanë filluar veprimet hetimore.
“Për të dy rastet është njoftuar prokurori kompetent, me autorizimin e të cilit kanë filluar veprimet hetimore. Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion. Të dy rastet janë iniciuar dhe po hetohen si “Hetim i vdekjes”, ka thënë ai.

