Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, tha se ka marrë vendim për kufizime të përkohshme të qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë, duke shtuar se këtë e bëri me qëllimin për mbrojtjen e infrastrukturës rrugore gjatë temperaturave të larta dhe rritjes së sigurisë në komunikacion.
Ai tha se ky vendim përcakton temperaturat dhe intervalet kohore kur aktivizohen kufizimet, ndërsa publikoi orët kur nuk lejohen që këto automjete të qarkullojnë.
Në AUTOUDHË, kufizimi do të zbatohet në ditët kur parashikohet temperaturë maksimale 32°C ose më e lartë, në intervalin 11:00–17:30.
Në rrugët NACIONALE, RAJONALE dhe LIDHËSE, kufizimi do të zbatohet në ditët kur parashikohet temperaturë maksimale 35°C ose më e lartë, po ashtu në intervalin 11:00–17:30.
Basha tha se Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit do të publikojë çdo ditë, pas orës 16:00, njoftimin zyrtar për zbatimin ose moszbatimin e kufizimeve për ditën pasuese, bazuar në parashikimin më të fundit të Institutit Meteorologjik të Kosovës.
“Ky vendim synon mbrojtjen e rrugëve nga dëmtimet që shkaktohen nga temperaturat e larta dhe ngarkesat e rënda, duke garantuar njëkohësisht siguri më të madhe për të gjithë pjesëmarrësit në trafik”, shtoi ai

