Mbrojtja e të akuzuarve për sulmin në Ibër-Lepenc e quan të kundërligjshme aktakuzën e PSRK-së, pret të vërtetohet pafajësia e tyre

by Nexhat

Mbrojtësit e tre të akuzuarve për rastin e sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit, Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, si dhe Igor Dimiq, përkatësisht avokatët Nebojsha Vllajiq, Millosh Deleviq dhe Jelena Kripokapriq, gjatë fjalës hyrëse kundërshtuan aktakuzën e Prokurorisë Speciale, duke e quajtur të njëanshme e të paligjshme.

Fillimisht, mbrojtësi i të akuzuarit Jovan Viqentijeviq, avokati Nebojsha Vllajiq fjalën hyrëse e dorëzoi në formë të shkruar e më pas e elaboroi para gjykatës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

banner

Vllajiq tha se arsyeja pse qytetarët i drejtohen gjykatës është sepse aty presin drejtësi dhe të vërtetën.

“Gjykata është e obliguar të jetë objective, e paanshme dhe të udhëheq procedurën në mënyrë fer dhe ky obligim nuk e obligon vetëm Gjykatën, por edhe Prokurorinë, neni 7 i KPP-së thotë se ‘prokurori është i obliguar të vërtetojë faktet në favor dhe dëm të të pandehurit me kujdes të njëjtë’. Ne kemi propozuar dhjetë prova”, tha Vllajiq.

Sipas avokatit, prokurorit i pengon se i pandehuri e shfrytëzon të drejtën e tij ligjore të mos flasë, e nuk i pengon çka thotë tani.

“I pandehuri do të flasë por jo derisa prokurori i fsheh të gjitha dhe refuzon t’i administrojë provat tona”, tha ai.

Avokati Vllajiq tha se aktakuza është përpiluar në mënyrë të njanshme, të palejuar dhe të paligjshme.

“Mjetet të cilat i bartin të pandehurit i quan jolegale edhe pse asnjë ligj nuk i ndalon që të mbahet thika, radio. Secili qytetar ka maska dhe uniforma, I tërë konstruksioni i bashkëkryerjes mes Jovanit dhe Dragishës është i gabuar dhe i kundërligjshëm, këso raste në gjykatën e Kosovës nuk ka”, deklaroi ai.

Sipas avokatit, dy vëllezërve u janë konfiskuar ndamas armë, e që akuzohen se kanë kryer veprën e armëmbajtjes pa leje në bashkëkryerje, duke shtuar se dënimi i veprës që iu kualifikohet është dyfish më i rëndë.

“Vepra penale e spiunazhit është kualifikuar e kundërligjshme dhe cili është kushti që shkruan në paragrafin 1 që të spiunohet një sekret shtetëror. E sekret shtetëror nuk është se si duket baza e Policisë në Zubin-Potok, sekret shtetëror nuk është se ku gjendet patrulla e policies apo kush është drejtor i Policisë, e që sekret është diçka e parashikuar me ligj”, u shpreh ai.

Fjalën e avokatit Vllajiq e mbështeti edhe i akuzuari Jovan Viqentijeviq.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Dragisha Viqentijeviq, avokati Millosh Deleviq e dorëzoi me shkrim fjalën hyrëse.

Gjatë elaborimit të saj, Deleviq tha se ndonëse e kanë lexuar aktakuzën dhe dëgjuar fjalën hyrëse të prokurorit, nuk e ka të qartë se çfarë ka bërë i mbrojtur i tij.

“Çka konkretisht ka bërë ai atë ditë nëse dikush në sallë e ka të qartë, ju lus që pas seancës të më ndaloni dhe të ma sqaroni se çfarë ka bërë ky njeri. Kjo aktakuzë dhe kjo çka ka deklaruar prokurori speial përshkruan ngjarjen që ka ndodhur atë ditë. Me të vërtetë nuk e di deri ku gjykata e shkallës së pare do të tolerojë që PSRK të paraqesë aktakuzë me këso lloj përmbajtjesh dhe deri kur do të tolerojmë që këto aktakuza të hyjnë në fuqi dhe të vijnë në shqyrtim gjyqësor”, tha Deleviq.

Sipas tij, në dispozitiv të aktakuzës, prokurori përdor formulime të përgjithshme, kolektive si: kanë ardhur, kanë vendosur eksploziv, e kanë ndezur fitilin, por se çfarë ka bërë konkretisht i mbrojturi i tij prej këtyre veprime, thotë se nuk ka marrë përgjigje deri sto.

“Në lidhje me Dragisha Viqentijeviq supozohet se ekziston prova se dheu/balta në çizme janë nga vendi i ngjarjes, mirëpo nuk kemi vërtetuar në bazë të ckaje PSRK vërteton se ato çizme janë me pronësi të Dragisha Viqentijeviqit duke mos propozuar as ekspertin i cili e ka përpiluar këtë ekspertizë që të kishim të drejtë t’i paraqesim pyetje apo ta kontestojmë këtë gjetje apo konstatim të ekspertit”, tha Deleviq.

Avokati tha se beson se në procedurën e provave, Prokuroria nuk do të provojë fajësinë e Dragisha Viqentijeviq, me arsyetimin se nuk dihet cilin veprim konkret e ka kryer.

Ai tha se do të propozojnë së paku katër dëshmitarë, për të vërtetuar albininë e tij, si dhe do të kërkojnë sigurimin e dy incizimeve nga KEK dhe në Zubin-Potok.

“Sa i përket të dëmtuarit Ernest, s’ka qenë obligim i tij të jetë në vendin e ngjarjes. Andaj, edhe nuk i takon statusi i personit të dëmtuar”, u shpreh ai.

Fjalën e mbrojtësit të tij, e përkrahu edhe i akuzuari Dragisha Viqentijeviq.

Kurse, mbrojtësja e të akuzuarit Igor Dimoviq, avokatja Jelena Kripokapriq tha se i mbrojturi i saj po akuzohet për armëmbajtje pa leje, pasi sipas fjalës hyrëse të prokurorit, në dhomën e tij i janë gjetur disa gjësende, të cilat Prokuroria konsideron se janë armë dhe pajisje ushtarake.

Sipas saj, e kundërta është thënë në aktakuzë.

“I mbrojturi im është koleksionist i flaktë i gjërave të vjetra që përfshijnë edhe sende të amvisërive të vjetra, të cilat janë të rralla dhe nuk bëhet fjalë as për armë dhe as pajisje ushtarake. Mirëpo, Policia siç shihet qartë në atë moment i cili ka qenë realisht moment për panik, i ka bastisur shtëpitë në afërsi të kanalit të Ibër-Lepencit, e që shtëpia e të mbrojturit tim është në afërsi të atij kanali”, tha ajo.

Avokatja tha se beson që kjo edhe është arsyeja se ajo çka është gjetur në shtëpinë e të akuzuarit Dimoviq është marrë si prove e vlefshme.

“Sepse në fillim kur e ka marrë në pyetje Policia, atij i është vënë në barrë vepra e terrorizmit, ku nga ana ime mund ta falënderoj prokurorin sepse kur kemi dorëzuar provat të cilat e provojnë albinë e të mbrojturit tim dhe provat për gjendjen e tij shëndetësore, e ka eliminuar këtë vepër penale ashtu që në aktakuzë qëndron vetëm vepra e cekur”, tha Kripokapriq.

Në fund, ajo tha se do të dëshmojnë me fotografi gjërat që ka koleksionuar i mbrojturi i saj dhe se ato nuk paraqesin kërcënim për askënd

“Ato janë pjesë të parëndësishme, të ndryshkura nga ndonjë armë që kush e di se ku është përdorur dhe se këtu nuk ka vepra që duhet të sanksionohen”, tha avokatja.

Pas përfundimit të fjalës hyrëse nga palët në procedurë, seanca u ndërpre për të vazhduar në një datë tjetër.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy