Këtë të premte, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dhënë fjala përfundimtare në rastin ku Skender Krasniqi akuzohet për vrasjen e F.Z.
Prokurori i shtetit, Ali Ajdini, gjatë dhënies së fjalës përfundimtare tha se, me administrimin e provave materiale dhe personale, përtej çdo dyshimi të bazuar mirë, është vërtetuar se i akuzuari Skender Krasniqi ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjithashtu, ai kërkoi nga gjykata që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, si dhe t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e vendimit.
Ndërsa, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Mahmut Halimi, tha se familja e tani të ndjerit nuk kërkon hakmarrje, por drejtësi.
Ndër të tjera, ai tha se mbrojtja e të akuzuarit nuk është e qëndrueshme dhe ndryshon varësisht nga provat.
Mbrojtësi i të akuzuarit Skender Krasniqi, avokati Ilir Ramaj, tha se duhet të vlerësohen të gjitha rrethanat e rastit, si dhe fakti se i mbrojturi i tij nuk ka qenë iniciues i konfliktit, por se reagimi i tij ka ardhur në një situatë të jashtëzakonshme, kur ai po përballej me një sulm të drejtpërdrejtë.
Tutje, ai tha se veprimi i të mbrojturit të tij nuk ka qenë rezultat i hakmarrjes, por reagim i menjëhershëm në një situatë që ai e ka konsideruar si rrezik për jetën dhe integritetin e tij fizik, duke shtuar se ka qenë reagim në mbrojtje të nevojshme.
Andaj, ai kërkoi që gjykata të marrë një vendim të drejtë, të bazuar në ligj dhe prova.
Gjithashtu, i akuzuari Skender Krasniqi kërkoi nga gjykata që të vendosë drejt dhe u kërkoi falje familjarëve të tani të ndjerit F.Z., duke thënë se ngjarja ka ndodhur në moment dhe pa dashje.
Me këtë, gjykatësi i rastit, Gent Beka, shpalli të përfunduar shqyrtimin gjyqësor, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e caktoi për një datë tjetër.
Në seancën fillestare më 15 korrik 2025, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 30 qershor 2025, i akuzuari Skender Krasniqi akuzohet se më 7 gusht 2024, në fshatin Zllakuqan të Lipjanit, për shkak të mosmarrëveshjes paraprake që kishte ndodhë në të njëjtën ditë në mes djalit të tij- të miturit T.K., me të miturin A.Z., djalin e tani i dëshmitarit B.Z., ky i fundit nip i tani të ndjerit F.Z., në lidhje me komunikimet e tyre në rrjetin social Tik Tok, ku i mituri T.K përmes thikës i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore të miturit A.Z., derisa tani i ndjeri F.Z ishte kthyer nga puna, posa kupton se çfarë kishte ndodhur, niset drejt shtëpisë së të pandehurit Skender Krasniqi bashkë me dëshmitarin I.Z., për të kuptuar dhe sqaruar se çfarë kishte ndodhë.
Aktakuza thotë se dëshmitari I.Z., kishte biseduar me dëshmitaren N.K., e cila i kishte thënë të largohet se nuk e di çfarë kishte ndodhur, e më pas nga shtëpia del tani i akuzuari në drejtim të portës së oborrit ku ishin tani i ndjeri F.Z., dhe dëshmitarët I.Z., dhe F.K. E më pas ishte afruar edhe dëshmitari B.K.
Në aktakuzë thuhet se pasi përfundojnë bisedën, tani i ndjeri F.Z., dhe dëshmitari I.Z., nisen nga porta e shtëpisë së Krasniqit për në rrugën e fshatit dhe vërejnë të miturin T.K., duke dalë nga pjesa e sipërme e oborrit, e që F.Z dhe I.Z., të mllefosur nisen në drejtim të të miturit T.K. dhe hyjnë në oborrin e të pandehurit, ku kishte filluar fjalosje e përcjellë me bërtima, e ku i mituri T.K., në dorë mban një thikë, për të cilën i ishte kërkuar ta lëshonte nga dora.
Sipas aktakuzës, në një moment ndërhyjnë dëshmitarët N.K., dhe B.K., e që palët kishin filluar të ndahen, I.Z., u nis në drejtim të rrugës e pas tij edhe tani i ndjeri F.Z. Por, aty thuhet se i pandehuri Skender Krasniqi merr thikën nga i mituri T.K, dhe me dashje për ta privuar nga jeta tani të ndjerin F.Z., e godet dy herë radhazi, e që për pasojë i shkakton lëndime vdekjeprurëse, e që rreth orës 13:02 minuta dërgohet pa shenja jete në QMF në fshatin Magurë të Komunës së Lipjanit, ku konstatohet vdekja e tij.
Më këtë, i akuzuari Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas pikës dy të kësaj aktakuze, i akuzuari Skender Krasniqi akuzohet se ka mbajtur në posedim të paautorizuar në shkelje me ligjin e zbatueshëm për armët, një thikë të cilën e ka përdorur për t’i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse tani të ndjerit F.Z., dhe tri thika të tjera, të cilat i janë gjetur gjatë kontrollit të shtëpisë dhe oborrit të të pandehurit dhe i janë sekuestruar.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366. paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

