FIFA mund të detyrohet të marrë një tjetër vendim të rëndësishëm përpara çerekfinales së Anglisë ndaj Norvegjisë, e cila është planifikuar të zhvillohet të shtunën në stadiumin “Hard Rock” në Miami.
Skuadra e Thomas Tuchel siguroi kualifikimin në çerekfinale pas fitores dramatike 3-2 ndaj Meksikës në orët e para të së hënës.
Dygolëshi i Jude Bellingham dhe penalltia e Harry Kane i dhanë fitoren “Tre Luanëve”, edhe pse ata luajtën me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të Jarell Quansah, i cili u përjashtua për një ndërhyrje të ashpër ndaj Jesus Gallardo.
Anglia mbrojti me heroizëm pas përjashtimit të Quansah në minutën e 54-t, duke i mbajtur tifozët në ankth gjatë 40 minutave të fundit në stadiumin “Azteca” dhe para ekraneve në shtëpi.
Megjithatë, loja me 10 futbollistë nuk ishte arsyeja e vetme e shqetësimit.
FIFA kishte shqyrtuar mundësinë që ndeshja të niste gjashtë orë më herët për shkak të reshjeve të dendura dhe rrezikut nga stuhitë.
Fillimisht, sfida e fazës së 1/16-ës ishte planifikuar të niste në orën 18:00 me kohën lokale (02:00), por ditën e ndeshjes u shty me një orë. Tani ekziston mundësia që edhe çerekfinalja të pësojë ndryshime.
Shërbimi Kombëtar i Motit në SHBA ka lëshuar një paralajmërim për temperatura ekstreme në jug të Floridës, duke bërë të ditur se temperatura e ndjerë mund të arrijë deri në 43 gradë Celsius për shkak të vapës dhe lagështisë së lartë.
Parashikimet meteorologjike tregojnë gjithashtu se stuhitë mund të rikthehen para fundjavës.
Kjo është me rëndësi për FIFA-n, pasi protokollet e sigurisë kërkojnë pezullimin e ndeshjeve sa herë që zbulohet rrufe brenda një rrezeje prej tetë miljesh nga stadiumi.
Përballja mes Anglisë dhe Norvegjisë së Erling Haaland është planifikuar të nisë në orën 23:00 (17:00 me kohën lokale), por temperaturat e larta dhe kërcënimi nga stuhitë mund të shkaktojnë shtyrje të saj.
Përveç motit, Anglia ka edhe probleme me dëmtimet.
Jordan Henderson u lëndua menjëherë pas fitores ndaj Meksikës, duke thyer krahun pasi u rrëzua mbi tabelat elektronike reklamuese në stadiumin “Azteca”.
Mesfushori ka kryer tashmë një operacion në krah, por Dan Burn beson se 36-vjeçari mund të rikthehet dhe të luajë sërish gjatë këtij Botërori.
“Mendoj se e vrava pak, sepse unë e bëra të dukej shumë e lehtë kur kërceva mbi reklamat,” tha Burn për mediat.
“Sapo dëgjova zhurmën pas nesh dhe, duke e njohur Hendersonin, nëse ai nuk ngrihet menjëherë, atëherë diçka nuk është në rregull. Ai tashmë e ka kryer operacionin dhe shpresojmë që ende të ketë mundësi të luajë në këtë turne”, shtoi ai.
Problemet për Thomas Tuchel nuk mbarojnë këtu, pasi Marc Guehi po përballet me një dëmtim në muskujt e kofshës, i cili mund ta lërë jashtë ndeshjes ndaj Norvegjisë.
Megjithëse dëmtimi nuk konsiderohet serioz, mbrojtësi i Manchester City do të vlerësohet të premten dhe mungesa në seancën e fundit stërvitore do ta bënte shumë të dyshimtë aktivizimin e tij.
Edhe Declan Rice ka munguar në dy ditët e fundit të stërvitjeve për shkak të një viroze, ndërsa stafi i Anglisë po përpiqet të parandalojë përhapjen e sëmundjes në kamp.
Në anën tjetër, Thomas Tuchel ka marrë edhe një lajm pozitiv, pasi Reece James është rikthyer në stërvitje të plotë dhe pritet të jetë në dispozicion për ndeshjen, ndërsa Anglia synon të arrijë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për herë të dytë në tri edicionet e fundit

