MITROVICË/ Kryetarët e këshillave të lagjeve e fshatrave kërkojnë kompensim, Komuna thotë se s’ka bazë ligjore për pagesë

by Nexhat

Kryetarët e Këshillave të Lagjeve dhe Fshatrave në Mitrovicë po kërkojnë zgjidhjen e çështjes së kompensimit për angazhimin e tyre, duke thënë se prej rreth pesë vitesh nuk janë paguar për punën që kanë bërë në komunitetet ku janë zgjedhur.

Kryetari i Këshillave të Lagjeve dhe Fshatrave në Mitrovicë, Isak Hajra, thotë për KosovaPress se kryetarët e këshillave kanë vepruar vazhdimisht në terren, duke u angazhuar për zgjidhjen e kërkesave të qytetarëve.

banner

“Ne si kryetarë të këshillave afro pesë vjet nuk jemi kompensuar, mirëpo kryetarët e këshillave gjithmonë kanë punuar e vepruar në komunitet, atje ku kanë qenë të zgjedhur. Mirëpo, edhe në bazë të kërkesave të tyre, shpenzimeve që kanë pasur nevojë të zhvillojnë aktivitetin e tyre në mënyrë më të mirë të mundshme, Komuna nuk ka qenë në gjendje dhe nuk pati gatishmëri t’i kompensojë. Pesë vjet me radhë kanë punuar dhe vepruar me shpenzimet e tyre dhe unë mendoj se kjo nuk është e drejtë. Një kryetar këshilli është i zgjedhur nga komuniteti me votën e qytetarëve, prandaj edhe jemi të zgjedhur me vendimin e Kuvendit Komunal”, tha Hajra.

Ai bëri të ditur se për këtë çështje kanë zhvilluar takime edhe me ish-kryetarin e Komunës, ku, sipas tij, u ishte thënë se mjetet ekzistonin, por duhej të gjendej forma e kompensimit.

Sipas nenit 15 të Rregullores për organizimin dhe bashkëpunimin e komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane në Komunën e Mitrovicës, aktivitetet e këshillave lokale mund të financohen nga komuna, banorët, përmes financimit të përbashkët ose nga donatorët. Ndërsa neni 16 parasheh kompensimin e kryetarëve të këshillave lokale nga buxheti i komunës, për pjesëmarrje në gjashtë mbledhje brenda vitit kalendarik.

Hajra tha se janë befasuar nga qëndrimi i Komunës së Mitrovicës se kryetarët e këshillave nuk mund të kompensohen, duke shtuar se, sipas informacioneve që kanë marrë nga institucionet qendrore dhe Avokati i Popullit, nuk ekzistonte ndonjë pengesë ligjore për këtë.

Sipas tij, kërkesa e kryetarëve të këshillave nuk lidhet me shumën e kompensimit, por me zbatimin e rregullores.

Hajra tha se kryetarët e këshillave do ta ndjekin këtë çështje deri në fund, duke shtuar se për këtë kanë angazhuar një avokat, i cili tashmë i është drejtuar Kuvendit Komunal me kërkesat e tyre.

Ndërkaq, Komuna e Mitrovicës kundërshton pretendimet e kryetarëve të këshillave lokale, duke thënë se kompensimi është ndërprerë pas hyrjes në fuqi të Ligjit Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik.

Komuna thekson se deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji më 22.12.2021, kryetarët e këshillave janë kompensuar në bazë të një vendimi të Kuvendit Komunal, me nga 50 euro për çdo mbledhje, por jo më shumë se gjashtë mbledhje në vit. Sipas saj, në vitin 2022 janë kompensuar të gjitha mbledhjet e mbajtura, ndërsa në janar 2023 janë paguar edhe gjashtë kryetarë të këshillave.

Po ashtu, në përgjigjet e saj, Komuna thekson se nuk ka detyrime të papaguara ndaj kryetarëve të këshillave lokale, pasi pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik nuk janë protokolluar kërkesa për mbajtjen e mbledhjeve si dhe nuk janë dorëzuar procesverbale apo lista të pjesëmarrjes, dokumente këto të nevojshme për procedimin e pagesave.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy